Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, krahas mbylljes së veçantë dhe pjesëmarrjes së konsiderueshme, mori edhe mbështetjen e tre kryeministrave dhe të një presidenti në mbyllje të fushatës për kryeqytetin. Kjo është hera e parë që kaq shumë drejtues të lartë të vendit i bashkohen një takimi elektoral dhe dalin në mbështetje të një kandidati në këtë fushatë zgjedhore.
Ajo që do të mbahet mend në këtë mbyllje të fushatës nuk është vetëm skenografia, pjesëmarrja, programi i detajuar për Tiranën, por edhe mbështetja që drejtuesit kryesorë të vendit në këto 20 vitet e fundit i dhanë kandidatit të majtë. Presidenti Republikës Bamir Topi, Kryeministri Rama, ish Kryeministri Ilir Meta dhe ish Kryeministri Majko, ishin ata të cilët i dhanë mbështetje publike kandidatit Veliaj, duke apeluar ndaj qytetarëve për të votuar drejtimin e duhur më 21 qershor.
Presidenti Topi në fjalën e tij vlerësoi tek Veliaj liderin e ri politik dhe një njeri të pjekur shumë mirë, i cili, sipas tij, do të fillojë projektin për një Tiranë të madhe dhe moderne. Ndërsa, gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama vlerësoi kandidatin Veliaj duke theksuar se është “gati të marrë në dorë Tiranën dhe të bëjë në katër vitet e ardhshme atë që nuk është bërë në 25 vite të marra së bashku, përfshi edhe vitet kur kam qenë vetë kryetar i bashkisë”.
Kurse ish kryeministri Meta tha se kandidati i majtë “do të arrijë një fitore të pashembullt në kryebashkinë e vendit, jo vetëm falë kësaj aleance të jashtëzakonshme, por edhe falë aftësive të tij vërtet të jashtëzakonshme sepse Erioni ka treguar se është një politikan i talentuar, një administrator shumë i mirë dhe një reformator i vendosur”. Për ish kryeministrin Majko, nga e hëna, Veliaj do të jetë kryetari i ri Bashkisë së Tiranës.