Çifti ndalohet nga policia se bëri seks para fëmijës 6-vjeçar. Një rast i dëgjuar për herë të parë ndodhi në qytetin e Elbasanit, kur ditën e mërkurë, në komisariatin e policisë u shoqëruan dhe u ndaluan deri në një vendim tjetër, burrë e grua.
Shtetasi Besnik S., 39 vjeç dhe bashkëshortja e tij 41-vjeçare, me inicialet O.S. u izoluan në rajonin e policisë, pas denoncimit të bërë nga gruaja e parë e burrit.
“Panorama” shkruan se ish-bashkëshortja, e divorcuar pak vite më parë me burrin nga Elbasani, e paditi atë dhe gruan e re të tij, duke i akuzuar se kishin kryer marrëdhënie seksuale në prezencë të fëmijës. Burimet zyrtare të policisë e bënë të njohur këtë fakt, duke ngritur ndaj çiftit akuza të rënda.
“Më datë 17.08.2016, u ndaluan shtetasit B.S. dhe O.S, vjeç 39 e 41, banues në Elbasan, pasi më datë 07.08.2016 ka bërë kallëzim një shtetase banuese në Tiranë, se ishbashkëshorti, shtetasi B.S., ka kryer marrëdhënie seksuale me bashkëshorten O.S., në prani të fëmijës së mitur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Nenet 100/1, 108/2/ 3 dhe 25 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit për këtë rast.
Por, Policia e Elbasanit nga ana e saj ka qenë tepër e rezervuar për këtë çështje. Me gjithë akuzat që janë ngritur paraprakisht për çiftin, grupi hetimor që ka marrë në dorëzim padinë, pret të sqarojë më tej këtë ngjarje.
Sipas drejtuesve të policisë, do të merret në pyetje vetë fëmija, por kjo do të realizohet vetëm në prani të psikologut. Në padinë e bërë nga ana e ish-bashkëshortes që jeton në Tiranë, fëmija vetëm 6 vjeç, shkon gjatë fundjavave në banesën e babait të tij, në qytetin e Elbasanit. Sipas saj, fëmija ka parë babanë dhe njerkën të kryenin marrëdhënie intime në prani të tij, pa u shqetësuar aspak.
Nuk dihet nëse në dëshminë e saj gruaja ka përcaktuar se kjo ka ndodhur në një rast apo e përsëritur. Policia e Elbasanit bën të ditur se pas marrjes së dëshmisë së fëmijës, psikologu do të vlerësojë nëse ajo është e saktë.
Nëse kjo ndodh, çifti do të shkojë në gjyq për të mësuar masën e sigurisë. Nga ana tjetër, nuk përjashtohet që ish-gruaja të ketë vepruar për hakmarrje ndaj ishbashkëshortit, për arsye që do të sqarohen. Rasti është parë me shumë precedencë, pasi është i pari i këtij lloji, edhe për faktin se dëshmitari i vetëm i kësaj ngjarjeje është fëmija 6 vjeç.