Privatësia në komunikimet elektronike është një e drejtë të cilën prokurorët dhe gjyqtarët e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion nuk do ta gëzojnë për 10 vjet. Këtë gjë janë të detyruar ta bëjnë me vullnetin e tyre duke firmosur një vetëdeklaratë, ku pranojnë që përmbajtja e telefonatave, mesazheve dhe emaileve të tyre – qofshin këto familjare – të jenë nën vëzhgimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
P/ligji i ri i SPAK, Struktra e Posacme Anti Korrupsion, do të detyrojë prokurorët dhe gjyqtarët që të heqin dorë tërësisht nga privatësia në komunikimet e tyre elektronike. Me dëshirë apo jo, këtë do ta bëjnë me vullnetin e tyre të plotë, duke firmosur një vetëdeklaratë, ku pranojnë se për plot 10 vjet, do të pranojnë të përdorin vetëm një telefon celuar, vetëm një numër celulari dhe vetëm një adresë poste elektronike apo emaili. Prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK nuk u lejohet përdorimi i asnjë mjeti tjetër komunikimi elektronik përvec atyre të lartpërmendur, të cilët do të jenë nën vëzhgimin konstant të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kjo e fundit do të ketë mundësi të lexoje emailet, mesazhet tekst dhe të dëgjojë bisedat telefonike të prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK, edhe në rastet kur ata komunikojnë me familjarët e tyre për cështje private.
Masat shtrënguese mbi mbikqyrjen e prokurorëve vazhdojnë edhe më tej. Në të njëjtën deklaratë, atyre u duhet të pranojnë se nëse gjatë një emergjence do t’u duhet të përdorin një mjet tjetër komunikimi elektronik, duhet t’ia raportojnë këtë gjë oficerit përgjegjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit brenda 3 ditësh.
Në formularin e vetëdeklarimit, prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK bien dakort që të dorëzojnë gjithashtu llogaritë financiare në emër të tyre dhe ato të anëtarëve të familjes, si dhe çdo llogari të re që mund të krijojnë. Të gjitha këto llogari do të vëzhgohen nga Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave.
Mosrespektimi i këtyre kushteve mund të cojë në masa disiplinore të cilat mund të sjellin edhe ndërprerjen e mandatit 10-vjecar.
Hartuesit e formularit duket se kanë qenë të vetëdijshëm për faktin se këto masa shkelin rëndë privatësinë e personave që do të plotësojnë formularin, ndaj dhe në fund detyrojnë firmëtarin të pranojë se në këmbim të kushteve në fjalë, do të kompensohet me pagesë shtesë.
Një formular më vete, me të njëjtat kushte, duhet të plotësojnë edhe kandidatët për pozicione të tjerë në Prokurorinë e Posacme, kandidatët për Drejtor, zv/drejtor, hetues, Oficer i Shërbimeve të Policisë Gjyqësore dhe pozicione të tjera në Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe punonjësit e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. I vetmi ndryshim i këtij grupi me vetëdeklarimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të SPAK është afati 10 vjecar, që nuk përmendet në formularin e grupimit të dytë. /abcnews