Dijar Xhema, shtetasi kosovar i arrestuar në Vlorë për akuzën e terrorizmit, dyshohet se ka problem psikike.
Prokuroria për krime të rënda tashmë ka marrë në dorëzim dosjen në ngarkim të tij, duke ngritur dyshime se ka konsumuar disa akuza, si “Vepra me qëllime terroriste”; “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”; “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve fetare” të mbetura në tentative dhe akuzën e “Prodhimit, shitjes dhe mbajtjes së lëndëve narkotike”.
Për këto akuza, i riu nga Mitrovica pritet të dalë këtë fundjave para Gjykatës së Krimeve të rënda ku do t’i caktohet edhe masa e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve.
Sipas akuzës, nga hetimet paraprake dyshohet se Dijar Xhema ka çregullime të theksuara mendore të shkaktuara nga lëndë psikotrope dhe për këtë fakt do t’i nënshtrohet një ekzaminimi psikik.
Nga ana tjetër, autoritet e kosovës kanë njoftuar palën shqiptare, se Dijar Xhema ëshët person me precedent të theksuar criminal. Sipas shkresave të policisë kosovare, thuhet se i riu nga Mitrovica është proceduar 20 herë, për akuzat si mbajtje pa leje të armëve luftarake, sulm ndaj personave, prishje të qetësisë publike, vrasje, plagosje, aksident si dhe ëshët dënuar nga gjykata për drejtim mjeti jashtë normave të lejuar. Në asnjë rast, në shkresën e policisë, nuk është evidentuar se Dijar Xhema ka qenë i përfshirë në ndonjë grup apo rreth personash me prirje ekstremiste fetare.
Pavarësisht kësaj përgjigje, mësohet se policia po punon për të zbardhur vendet ku ka qëndruar 29 vjeçari nga Mitrovica në Shqipëri. Pasi në sistemin TIMS, rezulton se ka hyrë brenda territorit shqiptar nga pika e kalimit kufitar të morinit në Kukës në mesnatën e datës 7 korrik së bashku me dy persona te tjerë, të identifikuar nga policia.
Sipas prokurorisë, në ngarkim të Dijar Xhemës janë administruar tre kallëzime. Një shtetas nga Vlora që pretendon se kosovari e ka qëlluar me grusht, një grua që ka tentuar ta hpi në makinë duke tërheq për krahësh si dhe dy persona, të cilët i ka ndjek me makinë dhe i ka goditur me grushta e shkelma makinën e tyre. Gjatë komunikimeve me të tre kallëzuesit, këta kanë pretenduar se shtetasi kosovar fliste arabisht dhe thërriste “allahu Ekber”. abcnews