Turqia thotë se zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, do ta vizitoj Turqinë më 24 gusht, në periudhën e tensioneve ndërmjet Ankarasë e fuqive perëndimore, lidhur me goditjen masive në Turqi, kundër atyre që mendojnë ndryshe pas puçit të dështuar muajin e kaluar.
Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, për këtë vizitë i ka informuar gazetarët sot në Stamboll. Ai tha, po ashtu, se qëndrimi i Uashingtonit ndaj kërkesës për ekstradimin e klerikut, Fethullah Gulen, me seli në Shtetet e Bashkuara, i cili nga Ankaraja fajësohet për orkestrim të përpjekjes së puçit, është përmirësuar. Megjithatë ai nuk ka dhënë detaje të tjera.
Ankaraja e konsideron lëvizjen e zotit Gulen si organizatë terroriste dhe dëshiron kthimin e tij në Turqi për tu ballafaquar me proces gjyqësor. Por, Uashingtoni ka thënë se paraprakisht duhet të ketë dëshmi për involvim të klerikut. Zoti Gulen e ka hedhur poshtë çfarëdo roli në grushtshtetin e dështuar ushtarak.
Zoti Yildirim, mëtutje, tha se 81,494 vetë, përfshirë gjyqtarë, ushtarë dhe shërbyes civilë, janë suspenduar ose shkarkuar prej 15 korrikut, kur ishte kryer një përpjekje e puçit të dështuar. Gjatë këtij puçi janë vrarë më se 270 vetë. Presidenti i Tuqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur përkushtim për ta çrrënjosur lëvizjen e Gulenit në Turqi, pasi ajo ka prani të gjërë në forcat e sigurisë, gjyqësi dhe shërbim civil.
Megjithatë, gjërësia e goditjes së autoriteteve është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe organizatat për të drejtat e njeriut, për shkak të shqetësimeve se Erdogan po e përdorë këtë ndjekje për ta forcuar qëndrimin e tij në pushtet.
ma.me