Të gjithë maturantët që duan të vazhdojnë studimet e larta në universitetet publike dhe private, kanë mundësi të aplikojnë online deri në mesnatë. Afati është shtyrë për 24 orë nga Agjencia Kombëtare e Provimeve për t’u dhënë një mundësi të fundit të gjithë kandidatëve për t’u bërë pjesë e garës për në universitet.
“Afati ishte 11 gushti për aplikimin për programet e studimit. Me datë 11 u mbyll raundi i parë i aplikimeve, por për t’u ardhur në ndihëm maturantëve që nuk patën mundësi për të aplikuar, të kenë një mundësi të dytë”, thotë drejtorja e AKP, Rezana Vrapi.
Por sa maturantë kanë aplikuar këtë vit online?
“Deri tani është 27700 aplikues. Krahasuar me vitin e kaluar, është dicka më pak sepse numri i maturantëve këtë vit ka qënë më i vogël”, shton drejtorja Vrapi.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve kujton edhe një herë kushtet për studentët që aplikojnë, siç është mesatarja 6. Por ka një mundësi edhe për ata që nuk e kanë këtë mesatare.
“Për ata që janë me mesatare më pak se 6, kanë mundësi që të aplikojnë në programet 2 vjecare, për shkollat profesionale, në Tiranë apo Durrës”, thotë Vrapi.
Nga 13 gushti, AKP do të bëjë gati listën e transparencës dhe formularin e korrigjimit të pasaktësive. Në datë 30 gusht AKP I dërgon universiteteve databazën e maturantëve dhe më 5 shtator do të bëhet shpallja e fituesve. Mbetësit e vjeshtës, apo edhe ata që duan të ndryshojnë preferencat, mund të aplikojnë në një raund të dytë që nis nga 23 shtatori./tch/a.k