Kryeministri Rama ka reaguar me një status të gjatë në Facebook për akuzat se po prishet trashëgimia kulturore, për shkak të heqjes së bazorelivëve që ishin në hyrje të stadiumit “Qemal Stafa”.
Një ditë më parë, ishte drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, i cili publikoi në Facebook fasadën e stadiumit, me fjalën “Ndjesë”.
Veç Lames, në rrjetet sociale ka pasur mjaft kritika për prishje të trashëgimisë kulturore, ndërkohë që vetë Rama kishte premtuar më parë se fasada do të ruhej.
Sot Rama shkruan se ato dy bazorelievë “turpëronin edhe Realizmin Socialist, e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit”.
Më tej, kryeministri shpjegon se se fasada monument kulture po trajtohet profesionalisht në bashkëpunim me ekspertët italianë.
“Kujevënësit profesionistë që argument kanë injorancën kanë vënë alarmin (për dy basorelieve pa asnjë vlerë, që tutkunët e regjimit të vjetër ia mballosën fasadës së “Qemal Stafës”) dhe po bërtasin që po dëmtohet trashëgimia kulturore. Ato basorelieve që turpëronin edhe Realizmin Socialist, e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit e nuk hyjnë askund si vlerë e trashëgimisë kulturore.
Fakti është që fasada monument kulture po trajtohet me të gjitha standartet profesionale nën mbikqyrjen e Institutit të Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me qendrën italiane të ekselencës në restaurim Palazzo Spinelli.
Të gjithë elementët e gurtë të kohës po inventarizohen dhe do të rivendosen në vendin e tyre, njësoj siç kanë qenë në projektin e arkitektit të famshëm, ku në vend të dy mballomave vulgare prej betoni, do të realizohen dyert e parashikuara e dizenjuara nga Gherardo Bosio.
Prandaj, edhe njëherë #QentëLeTëLehinKarvaniDoEcëPërpara dhe stadiumi i ri do të jetë përgjigja përfundimtare, për gjithë furtunat në gotën e dembelizmit mendor e të karshillëkut provincial ndaj të resë, që u ngritën e do të ngrihen, derisa Arena Kombëtare të imponohet me të gjithë rrezatimin e saj”, shkruan Rama.
d.i.