Mësohet formula e ndarjes së fondeve të shtetit për institucionet e arsimit të lartë në vend. Skema e propozuar merr në konsideratë fondin e pakushtëzuar të qeverisë, që do të jepet në formë grantesh dhe tarifat studentore. Ajo çfarë do të ndryshojë te të ardhurat e universiteteve, krahasuar me njëri-tjetrin, janë koeficientet e degëve ku u jepet përparësi atyre që qeveria i sheh më me prioritet. Fondet nga shteti nuk janë i vetmi burim të ardhurash për universitetet.
Pagesat e studentëve, donacionet, veprimtari kërkimore-shkencore, të ardhurat për shërbimet e kryera, ato me palët e treta apo financime nga fonde të specializuara, parashikohen si burime të ligjshme për universitetet që të nxjerrin përfitime shtesë. Përveç buxhetit të shtetit, institucionet e arsimit të lartë, që me ligjin e ri marrin në dorë financat e tyre, kanë të drejtë të përcaktojnë mënyrën e përdorimit të fondeve.
PROJEKTVENDIMI
Sipas aktit derivat të ligjit për arsimin e lartë të hartuar nga qeveria, burimet financiare të saj do të jepen në formë grantesh, ku pjesën më të madhe (85%) e zë mësimdhënia, e më pak politikat qeveritare të zhvillimit dhe kërkimi shkencor. Treguesi i parë përfshin disa komponentë: numrin e studentëve që ndjekin ciklin e parë, të cilët konvertohen në njësi financimi; koeficientet e financimit sipas programeve të ndryshme, bazuar në koston mesatare për student. Formula e financimit përllogarit shumën totale të grantit qeveritar të mësimdhënies dhe të ardhurat e studentëve.
“Shuma e financimit bazë që çdo institucion do të marrë, do të jetë prodhim i njësive totale të financimit shumëzuar me financimin për njësi”, thuhet në projektvendimin e hartuar. Pjesë e granteve do të jenë edhe tri kategori: studentët e shkëlqyer, ato të shtresave në nevojë, si dhe studentët që zgjedhin degë me prioritet kombëtar. Në relacionin shoqërues të projektvendimit, qeveria e argumenton këtë skemë financimi me qendër studentin.
“Metoda e financimit e propozuar është bazuar në numrin e studentëve prezentë në një universitet çdo vit. Karakteristika më e rëndësishme që është marrë në konsideratë në përllogaritjen e drejtimit të fondeve është dega e ndjekur nga studenti”. Koeficientet Ndarja e lekëve të shtetit merr në konsideratë edhe profilin e degës që ndjek studenti, duke i vënë secilës një koeficient të caktuar. Koeficientet e degëve (të pasqyruara në tabelën e mësipërme) tregojnë mesataren e grupit të krahasuesve ndërkombëtarë, të modifikuara në bazë të rrethanave ku ndodhet vendi ynë (koeficient më të lartë për sportet dhe artet, sesa krahasuesit ndërkombëtarë).
Në relacionin shoqërues të projektvendimit theksohet se këto të fundit s’kanë të bëjnë aspak me nivelin e tarifave. Pas arteve e sporteve, koeficient më të lartë kanë degë prioritare për qeverinë: shkencat natyrore, inxhinieri, shkencat kompjuterike, si dhe profilet e diplomave 2- vjeçare. Kjo politikë e ndjekur sipas qeverisë mbron universitetet që ofrojnë vetëm profile të tilla studimi, të mos vuajnë për shkak se studentët paguajnë tarifa të ulëta./panorama/a.k