Problemet nuk kanë të sosur për Marsela Çaushin, gruan që u dhunua nga ish-bashkëshorti i saj në mes të Vlorës dhe në sy të fëmijëve të saj. Videoja e dhunës, që u përhap menjëherë në rrjetin social dhe solli reagime të ashpra, preku zemrat e mjaft qytetarëve.
Ata kontribuuan me shuma të ndryshme parash në një llogari bankare që u hap posaçërisht pas ngjarjes, që solli edhe arrestimin e dhunuesit Ilirjan Pajo.
Por paratë që iu dhanë asaj për bamirësi i janë mbajtur nga banka, pasi ish-bashkëshorti i saj kishte marrë një kredi në kohën kur ata ishin ende të martuar, ndërsa Marsela kishte dalë si person garant për shumën e marrë.
Pak ditë më parë, Marsela erdhi edhe në Tiranë për të kontaktuar drejtuesit e bankës, por këta të fundit nuk i dhanë dot zgjidhje.
“Panorama” e kontaktoi dje Marsela Çaushin, por ajo shprehet se e vetmja shpresë për të shlyer një pjesë të mbetur të kredisë është kur ajo të punësohet.
Znj.Çaushi, tashmë ishbashkëshorti juaj është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë me pesë vite burg, a ndiheni më e sigurt tani?
Si të them… edhe po, edhe jo. Po pres se çfarë do të vendosë Gjykata e Apelit.
Vazhdoni të banoni në hyrjen me qira të paguar nga Bashkia?
Po, dhe me sa duket do të jetoj gjatë aty, sipas bisedave që kam bërë me pronarin e banesës Sulo Shehu dhe kryetarin e Bashkisë.
Pas videos së dhunës ju premtuan se do të fillonit punë në një shkollë si sanitare. E keni nisur punën?
Po, më është premtuar se do të futem në punë si pastruese në një shkollë, por kur të fillojë viti i ri shkollor. Më kanë thënë se në muajin shtator do të më caktohet. Edhe fëmijët do t’i çoj në shtator në kopsht dhe në shkollë pa pagesë, sepse tani ato janë të mbyllura.
Përveç banesës, çfarë ndihmash të tjera ju janë ofruar?
Zhurma u bë e madhe, por deri tani asgjë s’më është ofruar, madje edhe ato pak lekë që më dhanë, m’i mbajti banka për kamatat e kredisë që kishte marrë burri, para se të ndaheshim.
Pse jua mbajti banka?
Paratë u mbajtën automatikisht nga banka për të shlyer kredinë që s’e kisha paguar dhe kamatën së bashku. Pas ngjarjes, më hapën një numër llogarie në mënyrë që të më ndihmonin kush të mundej. U mblodhën rreth 1.2 milion lekë të vjetër. Fatmirësisht, 360 mijë lekë i tërhoqa menjëherë dhe u bleva një televizor fëmijëve. Tërhoqa dhe ca të tjera për disa nevoja familjare. Kishin mbetur edhe 700 mijë të vjetra. Por kur më duheshin sërish para, pashë se llogaria ishte bosh.
U ankova këtu në Vlorë, por nuk më zgjidhi njeri. Shkova tek e njëjta bankë në Tiranë, por edhe atje më thanë se kredia bashkë me kamatat kishte shkuar 830 mijë lekë. Paratë i kishin marrë të përmbarimit, pasi llogaria ime ishte hapur në një bankë dhe debitore isha në një tjetër bankë. U interesova dhe më thanë se më kanë mbetur edhe 130 mijë lekë të vjetër.
E paguat këtë shumë?
Jo, nuk kam mundësi. Jam pa asnjë lek. Fëmijët përsëri më kanë mbetur pa bukë. U fol shumë se më kishin dhënë para dhe ndihma të shumta, por ngelën vetëm në propagandë dhe asgjë nuk u bë realitet. Siç të thashë, edhe ato pak para që m’i dhanë qytetarët për bamirësi, nuk erdhën te fëmijët e mi. Ato m’i mori banka, ndërsa fëmijët e mi përsëri janë pa bukë deri në tetor, kur të marr pagën e parë, nëse do të mbahet premtimi dhe të më fusin në punë./Panorama/a.k