Pavarësisht se Shqipëria është përfshirë në listën e vendeve të sigurta të origjinës, që do të thotë se aplikuesit për azil kanë më pak shanse për të fituar një status të tillë, ende shumë shqiptarë po ikin në Gjermani.
Në të dhënat më të fundit të publikuar nga Zyra Federale për Emigracionin dhe Refugjatët, shqiptarët përbëjnë një pjesë të mirë të atyre që kanë kërkuar azil në muajin korrik.
Duke krahasur të dhënat për 6 muajt e fundit, kërkesë për azil në Gjermani për periudhën janar-korrik kanë bërë 9 685 persona. Një vit më parë (janar-korrik 2015) kjo shifër ishte 29 857 persona.
Gjermania ka pasur mbi 74 mijë kërkesa gjatë këtij muaji, duke pësuar një rritje me 98.4% krahasuar me një vit më parë.
Pjesa më e madhe e kërkesave vazhdojnë të vijnë nga Siria, Afganistani dhe Iraku. Por nuk kanë munguar as emigrantët nga vendet e Ballkanit.
Vetëm gjatë muajit korrik, 1 599 shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil në Gjermani. Kurse gjatë muajit qershor kanë aplikuar 1 534 persona, ndërsa në maj shifrat ishin në 1 095.
Shqipëria është i vetmi vend që bën pjesë në 10 vendet me më shumë refugjatë në Gjermani nga vendet e Evropës. Në këtë listë bëjnë pjesë vende në konflikt nga Lindja e Mesme dhe Afrika./panorama/a.k