Më 2 gusht 2016, në Policinë e Tiranës u depozitua një kallëzim për një ngjarje të rëndë.
Një vajzë 17vjeçare shkoi në Komisariatin nr.4 të Policisë së Tiranës dhe njoftoi Policinë se e kishin përdhunuar.
Ngjarja, siç pretendoi vajza, kishte ndodhur në banesën e saj në rrugën “Halit Bega”, në kryeqytet.
Denoncimi vuri në lëvizje gjithë strukturat e Policisë që mbulonin zonën dhe brenda ditës, autori i krimit u ndalua. Por pas ndalimit, për shkak të akuzës së rëndë, Policia bëri edhe arrestimin e personit që akuzohej nga vajza 17vjeçarja.
“Më datë 2 gusht 2016, u arrestua në flagrancë shtetasi me iniciale E.D., vjeç 17, banues në Tiranë, pasi në rrugën ‘Halit Bega’, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën, vjeç 17, banuese në Tiranë”, thanë atë ditë burimet zyrtare.
Për shkak të afateve brenda të cilave duhej që i prangosuri të dilte në gjykatë për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë, çështja iu referua Prokurorisë.
Organi i akuzës, pasi mori materialin nga Policia, vlerësoi ngjarjen e rëndë dhe vendosi që brenda limiteve kohore të kryente hetimet me qëllim zbardhjen e ngjarjes.
ZBULIMI I NGJARJES
Veprimi i parë që kreu Prokuroria ishte urdhërimi i një ekspertimi mjekësor tek e dëmtuara 17vjeçare me qëllim saktësimin e ngjarjes.
Pa vonuar shumë, mjekët konfirmuan se vajza nuk kishte kryer marrëdhënie seksuale në kohën kur pretendonte se ishte përdhunuar.
Pas këtij konkluzioni të mjekëve, Prokuroria iu rikthye kallëzimit të bërë nga vajza në Komisariatin e Policisë nr.4 në Tiranë, ku u gjetën mospërputhje në faktet e paraqitura në lidhje me ngjarjen.
Vajza kishte pretenduar në kallëzim se një person që banonte në të njëjtën zonë me të, kishte hyrë në banesë pa dëshirën e saj dhe e kishte zhveshur.
Më pas, autori i denoncuar nga vajza kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të dhe në fund kishte ikur nga shtëpia.
Mirëpo në kallëzimin e bërë në polici, hetuesit kanë gjetur mospërputhje dhe për këtë arsye kanë vendosur të marrin në pyetje të ndaluarin.
DËSHMIA PËR LIDHJEN
I arrestuari 17vjeçar, me iniciale E.D., është marrë në pyetje dhe ka pohuar para hetuesve se njihej me vajzën që e kishte denoncuar.
Ai u ka bërë me dije hetuesve se me të renë ka pasur një lidhje, por kohët e fundit raporti mes tyre ishte acaruar dhe ftohur. Sipas dëshmisë së dhënë nga i ndaluari, gjatë muajve të fundit, ata kanë pasur herë pas here kontradikta dhe debate të ndryshme. Djali ka mohuar në polici që të ishte takuar me 17 vjeçaren ditën kur ajo pretendonte se ishte përdhunuar.
Për këto arsye, Prokuroria ka nxjerrë urdhërndalimi ndaj vajzës me akuzën e kallëzimit të rremë, ndërsa ka liruar të riun që mbahej në polici, pas denoncimit të rremë të bërë te Komisariati nr.4. Urdhri i ndalimit, i nxjerrë nga Prokuroria, sipas burimeve zyrtare është ekzekutuar ditën e djeshme, kur vajza është prangosur me akuzën e dëshmisë së rreme.
Pas arrestimit të saj, pritet që Prokuroria të vlerësojë masën e sigurisë që do të kërkojë në gjykatë ndaj të akuzuarës, raporton Panorama.
MOTIVI
Raporti i mjekëve ligjorë, sipas të cilit vajza nuk kishte kryer marrëdhënie seksuale kohët e fundit dhe nuk kishte shenja dhune, ka qenë prova kryesore për ndalimin e saj.
Hetuesit dyshojnë se vajza mund ta ketë sajuar kallëzimin e rremë me dëshirën për t’i bërë keq apo për t’u hakmarrë ndaj ishpartnerit për ftohjen e marrëdhënies së tyre apo për konfliktet që kanë pasur.
Megjithatë, në lidhje me motivin e kësaj ngjarjeje, pritet që të merret në pyetje vetë vajza 17vjeçare e akuzuar tashmë për moskallëzim krimi./a.m.