Denoncimi i një qytetari për vjedhjen e 3500 eurove gjatë qëndrimit të tij në një hotel në Tiranë ka zbuluar se ky ambient ishte një “bazë” e shfrytëzimit të prostitucionit. Ka qenë denoncuesi E.L. ai që në gusht 2015, rrëfeu para oficerëve të Komisariatit nr.3 se menaxherja e hotelit ku i kishin vjedhur paratë dhe dokumentet i kishte ofruar disa vajza për seks në këmbim të pagesës.
Hetimi i mëtejshëm ngarkoi me përgjegjësi penale Mimoza Daltin, e cila u dërgua si e pandehur për akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit”. Sipas Prokurorisë, Dalti kishte shfrytëzuar si prostitutë një vajzë të re, të cilën e kishte njohur brenda ambienteve të Burgut 313.
Referuar hetimit, në këtë vend Dalti i ka “ofruar” të resë “punësim” si prostitutë, pasi të dilte nga burgu. Në një vendim të shpallur pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës shpalli fajtore të pandehurën Dalti për këtë akuzë dhe e dënoi me 4 vjet e 8 muaj burg.
KALLËZIMI
Kallëzimi për vjedhjen e ndodhur në hotelin që ndodhet në zonën pranë Burgut 313 në Tiranë, u regjistrua më 10 gusht 2015. Shtetasi E.L. ka pohuar se ishte regjistruar në hotel “P…” mëngjesin e kësaj dite, bashkë me tre shokë të tij. Pasi kanë hyrë në hotel, kanë takuar rojën dhe kanë bërë pagesën për fjetje.
E.L., së bashku me një prej shokëve të tij kanë fjetur në një dhomë, ndërsa dy të tjerët në dhomën tjetër. Sipas kallëzimit, E.L. ka lënë një çantë, ku kishte 3500 euro dhe disa dokumente të tjera poshtë krevatit, në dysheme.
“Në mëngjes i ka shkuar te dhoma shtetasja Mimoza Dalti, e cila i ka ofruar nëse donte të kryente marrëdhënie seksuale me pagesë me vajzat që ishin aty në hotel. E.L. nuk ka pranuar. Pas kësaj, Mimoza është paraqitur te dera së bashku me dy vajza të tjera, duke i ofruar atij që të shkonte me to, duke ndërmjetësuar dy herë për prostitucion”, citohej kallëzimi në vendimin e Gjykatës.
Në këtë kohë, ai ka pohuar se ka konstatuar mungesën e çantës dhe u ka kërkuar llogari punonjësve të hotelit, por të gjithë kanë mbajtur qëndrim mohues për vjedhjen.
NJOHJA NË BURG
Një nga provat e Prokurorisë në dosjen kundër 48- vjeçares ka qenë rrëfimi i një prej vajzave, që dyshohet se punonte si prostitutë. Gjatë hetimit të çështjes, Ina D. ka shpjeguar se me të pandehurën Mimoza Dalti është njohur që para një viti, kur kanë qenë të dyja në Burgun 313.
Mimoza në atë kohë i ka ofruar Inës që kur të dilte nga burgu të vinte në hotel “P…” dhe të kryente prostitucion. Pesë ditë para denoncimit të E.L., Ina D. është nisur nga qyteti ku banonte drejt Tiranës, për nevoja ekonomike.
Ajo ka shpjeguar se kur ka shkuar te hotel “P…” ka takuar Mimozën, e cila i ka ofruar të kryejë prostitucion, duke i gjetur klientë. Po atë ditë Ina ka kryer prostitucion me një djalë të ri, kundrejt shumës 2000 lekë. Paratë që ka marrë nga ky klient Mimoza, 1000 lekë i ka mbajtur vetë dhe i ka dhënë 1000 lekë Inës.
Ina gjithashtu ka shpjeguar se Mimoza Dalti organizonte të gjithë aktivitetin në hotel dhe njihej si pronare. Në këtë hotel kishte vajza të tjera që kryenin prostitucion si M…, B… dhe të tjera. Sipas saj, Mimoza i bënte pazaret me klientët e prostitucionit./panorama/a.k