Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimin në ngarkim të Gate Mahmutaj dhe 15 të arrestuarve të tjerë gjatë operacionit të zhvilluar në Lazarat nga Policia një vit më parë.
Siç bëhet me dije nga burime nga hetuesia, mësohet se të 16 të arrestuarit akuzohen për veprat penale të “Kultivim i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, “Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik”,“Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” në kuadër të një “Grupi të strukturuar kriminal”.
Personat e dërguar për gjykim janë Razip (Gate) Mahmutaj; Arjan (Servet) Basha; Florjan Shurdhi; Ramadan Basha; Altea Haska; Gurgaz Skënderi; Enrik Skënderi; Englied Aliko; Matjas Bocai; Arbjon Aliko; Alfred Proko; Vandam Mahmutaj; Klajdi Karemani; Lorenc Bregu (Çobaj); Beqo Brahimi dhe Drini Aliko.
Ky është grupi i parë i personave që dërgohen nga Prokuroria për Krime të Rënda në kuadër të grupit të strukturuar kriminal që ka vepruar në zonën e Lazaratit, ndërkohë që hetimi vijon ende për të tjerë shtetas të përfshirë.
Kujtojmë qershorin e shkuar, Policia e Shtetit ndërmorri një aksion në Lazarat, i cili solli arrestimin e gati 30 personave, si dhe shoqërimin e shumë të tjerëve, lidhur me dyshimet për trafikim dhe prodhim narkotikësh, ndërsa pjesë e akuzave u bë dhe dhuna ndaj policisë.
Tashmë hetimit lidhur me operacionin e Lazarartit po i vjen fundit dhe fjala po i kalon gjyaktës së Krimeve të Rënda, që pritet të hedhi shortin për të përcaktuar trupën gjyqësore