Nga Skënder Minxhozi/
Qazim Sejdini është një njeri i qetë dhe një administrator me përvojë të gjatë në politikë dhe në menaxhimin e qytetit të tij. Ata që jetojnë në Elbasan thonë se ka bërë atë që mund të bëhej në një qytet, ku problemet sociale dhe ndotja ambjentale janë prej dekadash çeshtje akute dhe të pazgjidhshme.
Sejdini po bëhet gati të marrë mandatin e tretë si bashkiak i Elbasanit. Ka pasur një fushatë të qetë, siç e kanë pasur të gjithë kandidatët nëpër Shqipëri, edhe falë integritetit të njohur të Ardian Turkut, të cilin edhe Rama e quajti “një burrë i mirë në krahun e gabuar”.
Materiali filmik që u përhap sot, ku shihet sesi Sejdini jep “këshilla” me zë të qetë dhe buzëqeshje dashamirëse ndaj disa reporterëve të shtypit, është në fakt një akt i shëmtuar censure mbi median në përgjithësi dhe gazetarët lokalë në veçanti, të cilët dëgjojnë “të parin e vendit” që i kujton vendin e punës. Kryebashkiaku Sejdini ka bërë një gjest krejtësisht të papranueshëm, duke u kujtuar kolegëve të shtypit interesat e pronarëve, vendin e punës apo ndëshkimet e atyre që nuk kishin ndenjur urtë. Është e habitshme dhe e pafalshme, sesi në mes të fushatës të mund të ndodhë një gjë e tillë, në njërën prej zyrave kryesore të pushtetit vendor të Shqipërisë, në një qytet të madh e të njohur për civilizimin, qetësinë dhe harmoninë qytetare.
Edhe vetë Sejdini me shumë gjasë e ka kuptuar atë që ka bërë. Sepse në mesin e një fushate, çdo gafë merr faturë të shpejtë politike dhe elektorale. Por ajo që ka ndodhur e tejkalon fatin politik të një kandidati. Problemi, siç e dinë të gjithë, është shumë më i thellë sesa një paralajmërim i thënë me të qeshur në një zyrë shteti. Jo më kot media shqiptare është sot në këtë gjendje.