Kryeministri Edi Rama ka komentuar qëndrimin e opozitës në lidhje me miratimin e shtatë ligjeve, duke kërkuar që të kthehet për t’i miratuar.
“E bojkotuan me muaj të tërë Komisionin e Reformës në Drejtësi dhe tani thonë s’kemi lexuar as projektligjin e Vetingut të gjykatësve e të prokurorëve, as 6 ligjet e tjera bazë për fillimin e zbatimit të reformës!
Ankohen se një dorë e zezë po prish konsesusin, sepse u kërkohet thjesht të bëjnë detyrën dhe të vijnë në komision për të mbyllur sa më parë ligjin kyç (Vetingun); pa të cilin Brukseli nuk i hap dot rrugë rekomandimit për hapjen e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë!
Dhe vazhdojnë akuzat qesharake direkte apo të nënkuptuara, kundër një komploti që e paskan shpartalluar me fuqinë imagjinare të një konsensusi, të cilin në fakt e dhanë (kur u ça muri shurdh i Shqupit e ishin bërë 94 votat e nevojshme) mu në zgripin e humnerës së pasojave të rënda, politike e personale, që i prisnin në raport me SHBA e BE, pas 21 korrikut, të gjithë ata që do votonin kundër reformës.
Po ja e vërteta rreth kësaj sajese të re, shprehur nga aleatët strategjikë përmes mediave”, shkruan Rama.