Prokuroria kërkoi dënimin me 3 vjet burgim për shtetasin Jani Balla, pasi është implikuar në një histori të çuditshme gjobëvenieje. Burri nga Prrenjasi ka gjobitur një mjek në Tiranë, duke i kërkuar rreth 500 mijë lekë, me justifikimin se i kishte ngacmuar kunatën e për këtë arsye i kishte cënuar nderin e familjes.
Prokuroria tha se historia ka nisur gjatë janarit të këtij viti, kur motra e bashkëshortes së Ballës ka shkuar në Qendrën Spitalore Nënë Tereza për të trajtuar djalin e sëmurë. Gruaja, e cila quhet Marinela, tha prokurori, ka hyrë në komunikim me mjekun pediatër, një komunikim mes palëve që u përshkrua nga prokurori si etik dhe me mirësjellje raporton tch.
Por në fund të marsit, i pandehuri ka gjetur në telefonin e kunatës komunikimin mes tyre dhe menjëherë ka shkuar në spital duke e kërcënuar mjekun se nëse nuk i jepte një shume lekësh atëherë ai do informonte bashkëshorten e tij.
“Jo vetëm kaq, por ndërprit komunikimin! Në të kundërt do ta marrin vesh të gjithë se çfarë bën ti me detyrën”, e ka urdhëruar Jani Balla mjekun.
Pas disa takimeve të tilla kërcënuese, mjeku është detyruar të kallëzojë në polici për gjobëvënie. Për shkak se është zhvilluar gjykimi i shkurtuar, i pandehuri përfiton zbritje të një të tretës së dënimit./a.m.