I prangosur në duar dhe i dërrmuar shpirtërisht është shfaqur para specialistëve të luftës kundër krimit, në Drejtorinë e Policisë së Fierit, Shpëtim Koxhaj, (i njohur edhe si Kovaç Koxhaj) nga Patosi. Shpërfytyrimi ka zënë vend te paraqitja e tij, kjo pas krimit makabër të vrasjes së bashkëshortes 50-vjeçare, Resmie, me të cilën kanë sjellë në jetë e kanë rritur tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë.
Pjesëtarë të grupit hetimor kanë pohuar se dorëzimi në polici dhe fjalët e tij përveç një gjendje të rënduar emocionale, tregonin vuajtje pas vrasjes së kryer për marrëdhënie familjare, por edhe një lloj shtrëngimi të vetes për t’u paraqitur përballë oficerëve të policisë, si një i penduar thellë, i dërrmuar dhe me fjalë gati të pashpjegueshme, për krimin që kishte kryer.
Rrëfimi
“E vrava, sepse më ka nxirë jetën”! Kjo është një nga fjalitë e përsëritura shpesh prej të arrestuarit, Shpëtim Goxhaj, tashmë i akuzuar për vrasje me dashje, për motive të dobëta që në fakt, ende nuk janë vërtetuar se cilat ishin në të vërtet këto motive. Por Shpëtimi ka vijuar: “Ishim vetëm në banesë. Fëmijët ishin në një gëzim familjar, një dasmë te disa të afërm. U grindëm me fjalë. Pas debateve gruaja më goditi me sende të forta. Unë rrëmbeva thikën dhe e godita. Nuk mendova se do të vdiste.
Kur e pashë të përgjakur dhe se çfarë ndodhi, pasi e kisha goditur disa herë me thikën, u trondita. Gjëja e parë që mendova ishte të dorëzohesha në polici. Dhe nuk mbaj mend se si kam shkuar deri në rajonin e policisë në Patos. Pasi kam deklaruar se kam goditur gruan me thikë, më kanë shoqëruar në mjediset e brendshme. Pastaj s’mbaj mend asgjë. Jam i shokuar. S’doja ta vrisja”!
Hetimet
Burime nga grupi i hetimit kanë pohuar se ndaj të akuzuarit do të kryhet edhe një ekspertizë mjekësore për të parë edhe gjendjen e tij mendore. Gjatë seancës së marrjes në pyetje, autori ka shfaqur shenja depresioni dhe paqëndrueshmërie të theksuar. “Vështronte si i dehur dhe krijonte shkëputje të fjalëve ritreguese për ngjarjen”-pohoi një ekspert policie, i cili po sqaronte gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej burri vrasës. Në fakt, ngjarja e një nate më parë ka shokuar familjen Goxhaj, familje e cila banon në lagjen e re në qytetin naftëtar të Patosit.
Askush nuk ka menduar se mund të ndodhte një tragjedi e tillë, që nëna, gruaja 50-vjeçare të vritej dhe të humbte jetën, ndërsa djemtë e saj, tashmë të rritur, me familje dhe te respektuar në këtë lagje, në ato çaste të ishin duke festuar te të afërm të tyre. Pas ngjarjes së rëndë, rreth orës 23. 30 të natës, drejt shtëpisë ku ndodhi krimi, vërshuan veç fëmijëve edhe të afërm të tjerë si dhe fqinjë. Plotësisht të shokuar, ata janë ndeshur me skenën makabre. Ndërsa dhimbja e ligjshme e humbjes së njeriut të dashur ka sjellë edhe irritimin me median, pasi kjo e fundit nuk është lejuar të ofrohet në shtëpi për të komunikuar me pjesëtarë të familjes dhe të afërm.
Ngjarja
Askush nuk jep të dhëna lidhur me krimin. Kjo sepse në momentet që ka ndodhur ngjarja e rëndë brenda shtëpisë kanë qenë vetëm dy bashkëshortët Shpëtimi dhe Resmia. Asnjë prej gjitonëve nuk rrëfen dyshimet përse mund të ketë ndodhur krimi. Disa bashkëqytetarë, kanë rrëfyer se autori konsumonte kohët e fundit shumë alkool, ndërkohë që pranojnë se edhe disa orë përpara se të kryente krimin, ai ka qenë duke konsumuar alkool, në njësitë shitëse afër banesës se tij dhe të familjes së tij. Po të njëjtët bashkëqytetarë rrëfyen se autori punonte në një servis automjetesh, të ngritur në një nga rrugicat e lagjes së re të qytetit naftëtar, ndërsa viktima, nëna e fëmijëve të tij, prej vitesh nuk ishte në marrëdhënie pune. Ajo kujdesej vetëm për burrin dhe fëmijët e tyre.
“Ne nuk mund të krijojmë alibi se përse ndodhi ky krim. Atë që mund të themi është se e njohim këtë familje që përpiqej të ushqehej me djersë balli. Kovaçi, punonte duke riparuar automjete, ndërsa gruaja e tij ishte e papunë. Si gjithë burrat edhe ai pinte ndonjë gotë. Kohët e fundit kishte shfaqur shenja depresioni. Një fqinj të tij, i cili kishte disa dele dhe po shkonte në kullotë, pasi e përqafoi, i rrëmbeu shkopin dhe e gjuajti fort disa herë duke e plagosur. Fqinji ia fali këtë plagosje. Ndërsa ai shfaqi shenja pendese”- treguan të njohurit e tij. Kishte shfaqur edhe shenja xhelozie, si gjithë burrat që i duan dhe xhelozohen për gratë e tyre, por ende nuk dihet se cili ka qenë shkaku i vërtet, pse e ka qëlluar Resmien ashtu”. Kaq thonë fqinjët, ndërsa marrin rrugën në drejtim të shtëpisë ku po kryheshin edhe ceremonitë e lamtumirës së gruas.
Policia
Në njoftimin e saj zyrtar, policia e Fierit, ka deklaruar se më 25.07.2016, nga specialistët për Krimet e Rënda, u arrestua në flagrancë Shpëtim Goxhaj, 55 vjeç, banues në lagjen “E Re” Patos. Arrestimi i këtij shtetasi, sipas policisë, u bë pasi më datën 24.07.2016, rreth orës 22:30, në banesë, pas një grindje për motive të dobëta, ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij, shtetasen Resmie, 50 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Ky është rasti i dytë krimit në familje në qarkun Fier. Një ngjarje e tillë, krim në familje, ka ndodhur në Lushnjë mes një çifti bashkëshortësh të moshuar, pak kohë më parë kur një 70-vjeçar me inicialet V. E. pasi plagosi gruan e tij duke e qëlluar me lopatë në kokë, u vetëvra me çifte. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Kryekuq, ku 63vjeçarja Rrënja Elezi, bashkë me bashkëshortin kanë qenë duke punuar tokën kur ka ndodhur ngjarja. Burri pasi i kishte thënë se nuk po e punonte mirë tokën dhe e ka goditur me lopatë dhe ajo ka rënë pa ndjenja.
Arben Velo
ma.me