Juristët parashikojnë se çfarë do të ndodhë pas procesit të vetingut dhe cilat do të jenë masat që duhet të ndërmerren nëse një gjyqtar konstatohet se ka abuzuar me detyrën. Gjithashtu, ata sqarojnë rëndësinë e rolit që do të kenë ndërkombëtarët në procesin e vetingut dhe a do të ketë përplasje sërish mes palëve politike gjatë votimit të ligjeve, që përbëjnë paketën e reformës në drejtësi.
Ish-kreu i KQZ, njohësi i ligjit, Kristaq Kume, në një prononcim për gazetën “Sot”, apelon që, nëse pas procesit të vetingut konstatohet se një gjyqtar ka abuzuar me detyrën, duhet t’i sekuestrohet pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme. Kume thotë se procesit të vetingut duhet t’i shkohet deri në fund, në mënyrë që një gjyqtar i korruptuar mos t’i gëzojë pasuritë e vjedhura.
“Ne do të presim nga ky zhvillim kushtetues jo vetëm hetimin e një trupe gjyqësore të ardhshme, e cila të mos ketë problemet që mbart e sotmja, në lidhje me figurën e personit, por në të njëjtën kohë për të gjithë ata të cilët procesi i vetingut do t’i nxjerrë me probleme, dhe veçanërisht me problemet që kanë të bëjnë me abuzimin me detyrën, pasurimin e pandershëm, të mos mjaftohet vetëm me përjashtimin e të drejtës së tyre për të ushtuar profesionin si pjesë e pushtetit legjislativ, por çka kanë bërë deri më sot nëse vërtetohet si e tillë, duhet të merren masa. Jo t’i gëzosh ato që ke marrë në mënyrë të paligjshme, por t’i shkohet deri në fund”, apelon Kume.
Ndërkaq, Kume vlerëson rolin e ndërkombëtarëve si shumë të domosdoshëm në këtë proces, duke deklaruar se OMN do të nxjerrë emra të gjyqtarëve nga lista e zezë, duke ndihmuar në këtë proces, duke e bërë sa më të paanshëm. “Roli i ndërkombëtarëve do jetë i domosdoshëm dhe ndër më të rëndësishmit. Ndërkombëtarët rekomandojnë që një x person është në listën e zezë. Është dhe garanti për suksesin e këtij procesi. Ata zvogëlojnë preferencat politike të anëtarëve të komisioneve të zgjedhur nga partitë”, tha Kume. Megjithatë, Kume parashikon se lufta mes palëve politike nuk ka përfunduar këtu. Ai tha se përplasje dhe vështirësi do të ketë në miratimin e ligjeve dhe në emërimin e gjyqtarëve. “Tashmë është përcaktuar në Kushtetutë dhe në anekset e saj për procesin e vetingut, se hapësirat për keqpërdorim pothuajse janë të ezauruara. Për mua ajo çka ndoshta mund të bëjë problem është se, si kërkesat kushtetuese do të pasqyrohen në ligjet përkatëse. Që do të thotë,. Procesi ligjbërës nuk do të jetë proces i lehtë, por i vështirë. Ndërtimi i ligjeve nuk do jetë proces i thjeshtë”, tha Kume.
Gjokutaj dhe Vishaj
Avokatët Genc Gjokutaj dhe Sajmir Vishaj vlerësojnë se vetingu do të funksionojë, duke nxjerrë në pah gjyqtarët e korruptuar. Genc Gjokutaj tha se, sa i takon rolit të ndërkombëtarëve nuk duhet të ketë diskordancë mes vendimmarrjes shqiptare dhe konstatimit të ndërkombëtarëve. “Vetingu do funksionojë dhe është i domosdoshëm. Dhe ka vullnet për t’u bërë. A do bëhet vetingu? Po! A do i nënshtrohen të gjithë? Po! Nuk mund të ketë më lojëra në këtë drejtim. Duhet që ndërmjet vendimmarrjes shqiptare dhe konstatimit të ndërkombëtarëve, të mos ketë diskordancë. Korrupsioni në drejtësi është evident. Kriteret janë rreptësisht të përcaktuara sa i takon emërimeve, dhe ato shmangin debatin”, tha Gjokutaj. Avokat Sajmir Vishaj u shpreh se tashmë pjesën më të rëndësishme do ta ketë zbatimi i reformës në drejtësi. “Miratimi i reformës ishte njëra anë; zbatimi i saj do të jetë pjesa e rëndësishme. Kjo reformë nuk mund të kuptohet pa vetingun. Pas dekretimit të Kushtetutës së re, do të hyjë në histori për herë të parë koncepti i OMN, i cili është pjesë e procesit të vetingut. Do të marrë fund koncepti i blerjes së drejtësisë me para”, tha Vishaj.
ma.me