Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar pagesat për muajin korrik për personat me aftësi të kufizuar si dhe pagesat e familjeve në nevojë. Në total janë miratuar pagesat e paaftësisë për 22.356 persona me aftësi të kufizuar, ndërkohë që fondi në total për këtë kategori është 168 milionë lekë. Po ashtu, në mbledhjen e djeshme është miratuar edhe pagesa e ndihmës ekonomike të familjeve në nevojë, ku në total kanë aplikuar 4.700 familje. I pranishëm në mbledhjen e këshillit ishte dhe kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, i cili foli për punën e bashkisë gjatë këtij viti të parë. Ai ka deklaruar se Bashkia e Tiranës është duke menduar për krijimin e një ndërmarrjeje publike për transportin. “Ndryshimi më i rëndësishëm prek transportin urban, i cili është në një proces transformimi e modernizmi, pavarësisht se ende nuk jemi aty ku do të donim. Futja e biletave elektronike brenda vitit 2016 do të eliminojë njëherë e mirë shumë nga abuzimet prej të cilave vuante sistemi i transportit urban. Po mendojmë aktualisht për themelimin e një kompanie publike transporti urban e cila do të shërbejë si etalon i standardeve të shërbimit me të cilin do të duhet të krahasohen të gjithë operatorët”, – tha Veliaj në fjalën e tij.
PAGESA PËR PAK
Ditën e djeshme këshilli bashkiak ka miratuar vetëm tri vendime, por dy prej të cilave prekin mijëra familje të 24 njësive administrative të Tiranës, pasi janë pagesat e muajit korrik 2016 për personat me aftësi të kufizuar. Mes 22.356 invalidëve, 1.731 janë persona të verbër që do marrin pagesën mujore për korrikun, dhe 523 kujdestarë. Po ashtu janë miratuar pagesat për personat me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore, ku numërohen 5.147 invalidë, dhe kujdestarë për këtë kategori janë 1.294. Paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë në total 804 invalidë, ndërsa kujdestarë për këtë kategori janë 778. Numrin më të madh të invalidëve e zënë invalidët e punës; në territorin e Bashkisë së Tiranës janë 12.079 invalidë pune. Në tabelën bashkëngjitur invalidët dhe pagesat mujore janë të ndarë sipas 24 njësive administrative.
NDIHMA EKONOMIKE
Këshilli bashkiak gjatë mbledhjes së djeshme ka miratuar ndihmën ekonomike për 4.700 familje në nevojë për periudhën 1-31 korrik 2016. Sipas të dhënave, 178 persona janë invalidë me statusin e jetimit, 4 janë viktima të trafikimit, si dhe 37 janë individë viktima të dhunës në familje. Po ashtu 20 janë familje janë me shumë fëmijë, 14 kanë katërnjakë dhe dy kanë fëmijë pesënjakë.
BUXHETI & INVESTIMET
Një tjetër vendim i miratuar ditën e djeshme është edhe ai për një ndryshim në buxhet, për shpërndarjen e financimit për projektet e reja nga FZHR për vitin 2016 në programin e arsimit parauniversitar, ku Bashkia e Tiranës përfiton një fond prej 160 milionë lekësh. Të cilat do të shkojnë për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Kosova”, si dhe ndërtimin e një salle koncertesh pranë auditorit të liceut artistik “Jordan Misja”. Faktikisht kjo vlerë fondi, nuk e mbulon të plotë financimin në këto dy objekte arsimore, pasi një pjesë e madhe e investimeve do të mbulohen nga buxheti i vitit pasardhës.
BW/d.i.