21 korriku, dita kur pritet që Parlamenti Shqiptar të votojë Reformën në Drejtësi, është moment historik për Shqipërinë dhe integrimin e saj në BE – kështu deklaroi në studion e TemA TV, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Z.Bledi Çuçi.
Kalimi për votim në parlament i Reformës në Drejtësi është kushti që ndërkombëtarët i kanë vënë proçesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE – tha Çuçi – kusht të cilin maxhoranca është plotësisht e gatshme t’a përmbushë.
Angazhimin e jashtëzakonshëm të ndërkombëtarëve në proçesin e miratimit të Reformës ne Drejtesi, Çuçi e cilësoi si mbështetje maksimale për sigurinë jo vetëm të Shqipërisë por edhe të Europës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar duke nenvizuar se pikërisht se Reforma në Drejtësi së bashku me grushtin e shtetit në Turqi do të jenë temat e diskutimit këtë të martë në Komisionin e Jashtëm të BE.
Por investimi i ndërkombëtarëve në këtë proces lidhet edhe me mbështetjen ndaj qeverisë Rama. Qëndrimin e opozitës ndaj reformës, Ministri Çuçi, e vlerësoi si frikë të humbjes së pushtetit mbi drejtësinë. Ndërsa propozimi për një qeveri teknike dhe zgjedhje te parakoshme, për Çuçin, është strategjia për ngritjen e një fronti të ri për të larguar vëmendjen nga Reforma në Drejtësi./a.m.