Kur kanë kaluar 18 ditë nga grabitja e parave në aeroportin e Rinasit, PD thotë se ka fakte të reja për ngjarjen. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat Alban Zeneli, tha se të dhënat që do të publikohen të hënën, “vërtetojnë katërcipërisht bashkëpunimin e njerezve të Saimir Tahirit në polici, në këtë grabitje e sulm të armatosur në Rinas”.
Sipas anëtarit të Komisionit të Sigurisë, Alban Zeneli, “këto prova dëshmojnë dhe një herë, inkrimimin tronditës që ka ndodhur në policinë e shtetit me Ramës e Tahirin në këto 3 vite”.
DEKLARATA E PLOTE
Më 30 qershor ra çdo standard i sigurisë publike e sigurisë kombëtare në vend, kur në mesdite aeroporti i vetëm ndërkombëtar që kemi, u pushtua nga një grup i armatosur e me maska.
Grabitja e miliona eurove, dhe tronditja që kjo ngjarje shkaktoi në mbarë opinionin publik, u shoqërua nga përpjekjet e Edi Ramës e Saimit Tahirit për ta larguar përgjegjësinë nga vetja.
Sot që kanë kaluar 18 ditë nga sulmi me armë në pistën e avionëve në territorin më strategjik të vendit, ende askush nuk ka mbajtur përgjegjësi, dhe Rama e Tahiri po luajnë çdo gur që kanë në dorë për të dalë të larë nga kjo histori.
Gjithkush e di se në grabitjen me armë e me maska në shkallët e avionit, pati bashkëpunim të policisë, të shefave të pikave kyçe të aeroportit të Rinasit e më lart.
Është provuar se policia edhe pse gjendej në pistën e avionëve, edhe pse kishte prezencë të shtuar pas sulmeve në aeroportin e Stambollit, nuk reagoi ç’ka bëri të mundur grabitjen dhe largimin e qetë të autorëve, asnjë prej të cilëve ende nuk është ndaluar.
Partia Demokratike do të publikojë nesër fakte dhe të dhëna që vërtetojnë katërcipërisht bashkëpunimin e njerezve të Saimir Tahirit në polici, në këtë grabitje e sulm të armatosur në Rinas.
Prova që dëshmojnë dhe një herë, inkrimimin tronditës që ka ndodhur në policinë e shtetit me Ramës e Tahirin në këto 3 vite.
Nesër, prova e fakte, foto dhe filmime për përfshirjen e njerëzve të Tahirit në graditjen më të rëndë të këtyre viteve në Shqipëri.