Rënia e flokëve dhe shkurtimet buxhetore nuk e kanë ndalur presidentin e Francës, Francois Hollande, që pranë vetes ta paguajë berberin e tij, të cilit i paguhet një shumë e majme e të hollave.
Njerëzit në mbarë botën kanë reaguar me shok, zemërim dhe humor, pasi që zëdhënësi i Qeverisë franceze këtë javë konfirmoi ekzistencën e berberit zyrtar presidencial, i cili i merr 9.895 euro në muaj dhe udhëton gjithkah ku shkon Hollande.
Brenda një viti, paga e tij, e paguar prej tatimpaguesve francezë shkon në gati 132.000 dollarë, shkruan CNN, transmeton “Koha Ditore”. Kjo është afërsisht pesëfishi i të ardhurave të një berberi të zakonshëm në Francë.
Në intervistën të enjten për televizionin francez, Hollande ka thënë se reagimi i publikut në lidhje me këtë lajm ka dalë jashtë kontrollit.
“Ata mund të më kritikojnë për gjithçka tjetër, pos kësaj”, ka thënë ai, duke theksuar se ka pranuar një shkurtim prej 30 për qind të pagës së tij që e merr si president… (b.an)