Liria e një të riu nga kryeqyteti nuk zgjati më shumë se 10 orë nga amnistia e fundit e qeverisë pasi ai u arrestua sërish për vjedhje.
Ky është një ndër ato rastet jo të pakta që policia ngre shqetësimin se vjedhësit e banesave në Tiranë janë përsëritës, shkruan express.
Me nisjen e sezonit turistik denoncimet nga qytetarët janë shtuar ndërsa policia thotë se ende lëvizin të lirë 23 persona të skeduar si hajdutë banesash, e për këtë arsye apelojnë që me largimin drejt plazheve të mos i lenë jashtë kontrollit ato. Sipas të dhënave zyrtare të policisë për këtë vepër penale janë arrestuar 55 hajdutë por qytetarët duhet të bëjnë kujdes pasi në rrugët e kryeqytetit lëvizin të lirë 23 të tjerë të cilët janë skeduar nga uniformat blu por që ende nuk janë arrestuar.
Zëvendës drejtori i policisë së Tiranës Dhimitraq Ziu në një intervistë për TVSH tregon se teknikat e vjedhjes janë të ndryshme e ndërsa zonat më të goditura nga hajdutët janë ato të plazhit, lagja e Ali Demit, Farka dhe Komuna e Parisit.
Përsa i përket profilit të vjedhësve të banesave nga analizat rezulton se ata janë kryesisht të moshave të reja e një problem që has policia është fakti se ata në disa raste janë përsëritës. Për të kapur autorët që ende janë në kërkim por edhe vjedhësit e mundshëm Ziu i bën apel qytetarëve që të denoncojnë në numrin e telefonit 112 e ndërsa u kërkon atyre që me largimin drejt plazheve të mos I lenë jashtë kontrollit banesat.