Ndihmëssekretarja shtetërore e SHBA-së për Çështje evropiane dhe euroaziatike, Viktoria Nuland, u takua sot në Ambasadën amerikane në Shkup me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe të PDSH-së, Menduh Thaçi, pas së cilëve në selitë e partive do të ketë takime edhe me kryetarët e LSDM-së, Zoran Zaev dhe të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Ahmeti pas takimit me Nuland nuk dha deklaratë për mediat, por u prononcua përmes njoftimit për shtyp. Ahmeti dhe Nuland, siç theksohet, diskutuan për mënyrat se si të zgjidhet kriza politike në vend dhe të rikthehet fokusi në axhendën integruese euroatlantike.
Ahmeti siguroi ndihmëssekretaren Nuland që BDI është pjesa më konstruktive e zgjidhjes së çështjes, si dhe shprehu optimizëm për arritje të shpejtë të kompromisit nga palët në ditët në vijim.
“Ky kompromis duhet të rezultojë me zgjedhje gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe demokratike sa më shpejtë që është e mundur”, ka theksuar Ahmeti.
Sipas BDI-së, të gjitha partitë duhet të pajtohen se janë plotësuar kushtet për zgjedhje e më pas të caktohet data e zgjedhjeve të parakohshme.
Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, i transmetoi ndihmëssekretares shtetërore të SHBA-së mesazhin se tani është momenti të bëhet gjithçka që të ndërpritet kriza politike dhe të arrihet marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve.
Në njoftimin për shtyp të Thaçit, theksohej se në takim më shumë është biseduar për përcaktimet strategjike për daljen e vendit nga kriza sesa për drejtime konkrete. Thaçi nënvizoi se pret që liderët politikë sot të marrin mesazhe më rigoroze për zgjidhjen e krizës.
Paraprakisht, Viktoria Nuland në Ambasadën në Shkup ka pasur takime edhe me Prokuroren Publike Speciale, Katica Janeva dhe me përfaqësues të organizatave të sektorit civil.
Pas takimeve në Shkup, Nuland duhet të mbajë konferencë shtypi në Ambasadën Amerikane në të cilën pritet të informojë për bisedat me liderët partiakë dhe për pritjet e saj për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni. (java / r.a)