Njerëzimi kujton sot 160-vjetorin e lindjes së gjeniut Nikola Tesla (1856-1943), shkencëtar, hulumtues dhe zbulues i pajisjeve elektroteknike dhe radioteknike, i njohur si baba i rrymës alternative dhe i një numri të madh zbulimesh të tjera.
Kurorë e punës së tij shkencore është mirënjohja më e madhe që Teslës iu dha pas vdekjes, kur Komisioni Ndërkombëtar për Elektroteknikën vendosi që në të gjithë botën njësia matëse për induksion magnetik të quhet “Tesla”. Me këtë, Tesla u bë një nga të mëdhenjtë siç janë Volt, Amper, Faradej, Kelvin e tjerë.
Historia për Nikola Teslën fillon në fshatin Smiljan në Likë, Austrohungaria e atëhershme, Republika e sotme e Kroacisë, ku babai i tij Milutin ishte prift ortodoks serb. Që nga fëmijëria Tesla konsiderohej ekscentrik për shkak të ideve që nuk kuptoheshin nga të tjerët. Mbaron gjimnazin në vitin 1873 dhe pastaj në Grac me studime për politeknikë (1875-1878) dhe në vitet 1880 në studime të filozofisë së natyrës në Universitetin e Pragës.
Një vit më pas, në Budapest, Tesla filloi karrierën si inxhinier. Atje e realizon zbulimin e tij të parë, një aparat për rritjen e zërit tek telefoni. Një vit më vonë zbulon polin qarkor magnetik dhe shkon në Paris në zyrën evropiane në Edison. Tani asgjë nuk mund ta ndalojë Teslën e ri. Në vitin 1883, në Strasburg bën modelin e motorit me induksion dhe një vit më pas është në Amerikë si i punësuar në kompaninë e Edisonit ku mbetet për një vit.
Me shpirtin e tij të lirë në hulumtimin shkencor dhe tejkalimin e së pamundurës, Tesla formoi kompaninë e tij dhe i regjistron patentat e para në fushën e ndriçimit. Shpall patentat e motorit me induksion dhe sistemin për prodhim, përcjellje dhe përdorim të energjisë elektrike. Njëkohësisht fillon të ligjërojë para Shoqatës së inxhinierëve të elektroteknikës në Nju Jork dhe nënshkruan marrëveshjen e parë me Uashington për shfrytëzimin e patentave të tij. Pa dy vitesh filloi prodhimin e rregullt të motorëve me induksion.
Nikolla Teslla është i pandalshëm. Në vitin 1890 fillon të eksperimentojë me rrymën me frekuencë të lartë dhe zbulon gjeneratorin e rrymës me frekuencë të lartë. Më pas patenton transformatorin pa bërthamë.
Tesla merret edhe me hulumtimin e rrezeve Rëntgen, hulumton mundësinë e transmetimit të energjisë pa tel, tregon një model të një anije të teledirigjuar, që është eksperimenti i parë i përdorimit të valëve të radios për kontrolle të gjatë. Pastaj, në Long Ajlend bën antenën e Radios Botërore me qëllim që të bëjë një sistem botëror për përcjellje të lajmeve dhe energjisë.
Bën skicat e para dhe llogaritë për aeromobil, i gjen patentat themelore për pompë dhe turbinë dhe gjenerator për ndriçim anësor tek lokomotiva, fiton patentë për avion me fluturim vertikal, dhe merret gjithashtu edhe me përmirësimin e procesit të prodhimit dhe përpunimit të hekurit dhe bakrit.
Kjo është vetëm një pjesë e punës shkencore të mendjes së ndritur të Nikola Teslës, i cili gjithë jetën e harxhoi në hulumtime dhe eksperimentime, pa të cilat bota nuk do të ishte ajo që është.
Megjithatë, Nikola Tesla asnjëherë nuk fitoi çmimin Nobel për veprat e tij shkencore.
Nikola Tesla vdes në gjumë, më 7 janar të vitit 1943 në Nju Jork në apartamentin e tij në hotelin “Njujorker” në Manhatan ku edhe jetonte. Ishte 87 vjeç.