Partia Demokratike ka denoncuar sot dhunën e ushtruar sipas tyre të dhunën e ushtruar nga një grup simpatizantësh dhe përfaqësuesish të PDIU-së dhe mazhorancës ndaj militantëve të PD në Peqin.
Në një dalje për mediat, kandidati i PD për Peqinin Albert Kreçi denoncoi këtë akt dhune duke u shprehur se kulmi arriti deri në përdorimin e armëve. Sipas kandidatit të djathtë kjo është vepër e bandave të armatosura të PDIU dhe qeverisë për të ushtruar panik.
Deklarata e plotë për mediat:
Jam këtu për të denoncuar një valë dhune e presioni që po ushtron kandidati i PDIU dhe i mazhorancës në Peqin, dhunë që arriti kulmin dje pas mitingut përmbyllës të jashtëzakonshëm që bëri Partia Demokratike me praninë e kryetarit Lulzim Basha.
Entuziasmi i opozitës dhe qytetarëve të Peqinit që shprehën masivisht gadishmërinë për të mbështetur ofertën tonë dhe kandidaturën time, si dhe denoncimi i inkriminimit të politikës që spikat veçanërisht në Peqin me përfaqësuesit e PDIU, ka tërbuar kundërshtarët dhe banditët e tyre të cilët janë lëshuar rrugëve duke kërcënuar e dhunuar, deri në përdorimin e armvëve, siç është rasti i plagosjes së rëndë të vëllait të Komunës Karinë, mbrëmë në darkë.
Kjo foto tregon qartë, se si është qëlluar dje me armë vëllai i kryetarit të Komunës Karinë, pikërisht nga njerëzit e kandidatit të PDIU.
Gjithashtu, janë kërcënuar hapur kryetari i Partisë Demokratike për komunën Gjocaj dhe Komunës Përparim.
Po ashtu, këto banda po kërcënojnë çdo ditë mbështetës të opozitës.
Ky rrjet banditësh e kriminelësh pranë PDIU që lëvizin me makina e të armatosur edhe me kallashnikovë, që janë shtrirë në gjithë Peqinin, më kanë kërcënuar edhe mua në mënyrë të përsëritur, dhe provat për këtë ua kam bërë të ditur vëzhguesve ndërkombëtarë.
Ndërkohë, qeveria dhe përfaqësuesit e PDIU po i bëjnë presion Gjykatës që të regjistrojë si zgjedhës në Peqin, të dënuarit në këtë burg, çka bie ndesh me Kodin Zgjedhor, me nenin 75 gërma 2, sepse listat e zgjedhjeve kanë kohë që kanë dalë tashmë.
Jam këtu sot për të denoncuar këtë valë të paprecedente dhune në zgjedhje. Kundërshtarët po tregojnë se nuk kanë ofertë, nuk kanë bilanc, dhe nga dëshpërimi i humbjes së sigurtë duan tani që të mos ketë zgjedhje.
Dua ti bëj të ditur miqve të mirë peqinas, gjithë banorëve të Bashkisë, se asgjë nuk ka tremb, dhe nuk do të tërhiqemi asnjë milimetër para këtyre banditëve.
I kërkoj prokurorisë të bëjë hetime e të zbulojë autorët e porositësit e këtyre krimeve të rënda.
Vëzhguesit ndërkombëtarë duhet të regjistrojnë këto incidente të rënda që po dëmtojnë garën dhe standartet e zgjedhjeve.
Asgjë nuk i shpëton nga përballja me qytetarët, as dhuna dhe as armët. Ka mbetur edhe një javë.