Në Bratislavë të Sllovakisë, vendit që ka Presidencën e radhës së BE, po mbahet sot takimi i Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian dhe vendeve kandidate. Vendet pjesëmarrëse po diskutojnë mbi çështje të krizës migratore dhe propozime për një solidaritet dhe bashkëpunim. Palët diskutuan që së shpejti të miratohet një paketë e përbashkët për azilin, duke caktuar procedura të njëjta në të gjitha vendet. Gjatë punimeve, zv/ministrja e Punëve të Brendshme Elona Gjebrea pati një takim me Sekretarin e Shtetit të Belgjikës për Migrimin dhe Azilin, Theo Francken. Francken bëri një deklaratë pas takimit me zv/ministren Gjebrea:
“Që prej vitit 2012, Belgjika ka një listë të vendeve të sigurta të origjinës. Azilkërkuesit nga këto vende kalojnë përmes procedurave të përshpejtuara dhe kanë shumë pak mundësi t’u njihet statusi i refugjatit. Kjo listë është përditësuar çdo vit nga Qeveria belge. Prej vitit 2012, çdo vit në vijim, qeveria ka përfshirë Shqipërinë në këtë listë.
Këshilli i Shtetit të Belgjikës ka vendosur që Shqipëria duhet të përjashtohet nga lista e vendeve të sigurta për vitin 2015. Këshilli i Shtetit e ka bërë më parë këtë në vitin 2012, 2013, 2014. Qeveria belge gjithsesi nuk pajtohet me këtë vendim dhe, ashtu si në vitet pararendës, do ta përfshijë menjëherë Shqipërinë sërish në listën e vendeve të sigurta. Qeveria belge mbetet e bindur se Shqipëria, vërtet është një vend i sigurt dhe shqiptarët përgjithësisht nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Qeveria e Belgjikës dhe e Shqipërisë vijojnë bashkëpunimin shumë të mirë në çështje të ndryshme, përfshirë migrimin.
Ky vendim i Këshillit të Shtetit nuk sjell asnjë ndryshim në procedurën e azilkërkuesve shqiptarë, as nuk do të na ndalojë së kthyeri shtetasit me qëndrim të paligjshëm. Ne vijojmë rregullisht të kthejmë shtetasit shqiptarë me qëndrim të paligjshëm. Nëse nuk duan të largohen vullnetarisht, ata do të kthehen me forcë dhe ndaj tyre do lëshohet ndalim-hyrjeje. Vetëm gjatë muajve të fundit kemi organizuar disa fluturime të veçanta në Tiranë për të kthyer pas shtetas në fjalë, dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen”.
BW/d.i.