Gjatë vitit që lamë pas, dërgesat nga diaspora kanë thyer rekord duke arritur në 752,4 milionë euro apo 58,7 milionë euro më shumë sesa në vitin paraprak. Sipas ekspertëve të ekonomisë, brenda periudhës 2004-2015, remitencat arrijnë në 6.3 miliardë euro.
Brenda çdo muaji, dhjetëra miliona euro vijnë nga bashkatdhetarët në diasporë, si dërgesa për familjarët e tyre.
Këto mjete që kalojnë shumën mbi 6.3 miliardë euro për 11 vjetët e fundit, shkojnë kryesisht në konsum të përditshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në qetësinë sociale të Kosovës.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, Kosova, tetë vjet pas pavarësisë, vazhdon të mbetet e varur nga diaspora. Vetëm gjatë vitit që lamë pas dërgesat nga diaspora kanë thyer rekord duke arritur në 752,4 milionë euro apo 58,7 milionë euro më shumë sesa në vitin paraprak.
Por, shuma e dërgesave vazhdon të jetë në nivel të lartë edhe gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, nga muaji janar e deri në prill, shuma e dërgesave nga diaspora ka arritur 213 milionë euro.
Mirëpo, nga 2004 e deri më 2015 nga të dhënat e Bankës Qendrore shihen se këto remitenca kanë arritur në vlerë mbi 6.3 miliardë euro.
Gjermania dhe Zvicra kryesojnë me dërgesa
Gjermania edhe më tutje mbetet shteti prej të cilit më së shumti mjete dërgohen në vendin tonë, duke u pasuar nga Zvicra, Italia, Austria, Belgjika etj.
Në anën tjetër njohës të rrethanave ekonomike në vend thonë se dërgesat nga diaspora kanë ruajtur qetësinë sociale në vend.
Muhamet Mustafa, deputet i Kuvendit të Kosovës njëkohësisht edhe ekspert i ekonomisë, ka thënë se pa remitenca niveli i varfërisë në vend do të ishte shumë i lartë.
Ai thotë se në bazë të një studimi pjesa e madhe e këtyre mjeteve shkojnë për konsum, ndërsa një pjesë tjetër për shërbime shëndetësore.
Sipas disa studimeve që i kemi bërë më herët në ‘Riinvest’ del se në fakt remitancat e sërvisojnë më së shumti konsumin familjar dhe pajisjet familjare të amvisërisë si dhe vetura, apo pajisje për bujqësi. Studimi në këtë konfirmonte se pa remitanca niveli i varfërisë do të ishte më i lartë. Pos konsumit familjar, pjesa më e madhe e remitencave, shkon në shërbime shëndetësore (rreth 17%) e që vërtet flet për gjendjen e shërbimeve shëndetësore në Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas tij, investimet në biznes nga diaspora kanë qenë prezente në pasuri të patundshme, gjatë privatizimit.
Ai thotë se mjedisi miqësor për investime është një nga fushat ku ende duhet punuar shumë.
Vetëm 10 për qind të dërgesave shkojnë në investime
“Investimet në biznes nga diaspora kanë qenë prezente në pasuri të patundshme, gjatë privatizimit, edhe në një pjesëmarrje të konsiderueshme në atë që merret si investime të jashtme. Po këto do t’i konsideroja si diçka që bien bizneset përkatëse tonat nga diaspora. Pra nga dërgesat e emigrantëve në familje pak shkojnë në biznes, sepse edhe qëllimi i dërgimit është plotësim i nevojave emergjente familjare në konsum, shërim, shëndetësi, nevoja bazike.
Përndryshe investimet nga diaspora i përcjell e njëjta logjikë, si investimet e jashtme dhe të brendshme. Mjedisi miqësor për investime është një nga fushat ku ende duhet punuar shumë.
Edhe Muhamet Sadiku, ekspert i ekonomisë, ka thënë se pjesëmarrja e të hyrave nga dërgesat në bruto produktin e vendit është bukur e lartë.
“Këto para kanë qenë të rëndësishme në rindërtimin e Kosovës, në konsolidimin e situatës ekonomike, në konsolidimin e tregut të Kosovës dhe në mbulimin e kërkesave të popullatës në përgjithësi”, ka thënë ai.
Sipas tij, është pak shqetësuese se 90 për qind e mjeteve shkojnë në konsum, ndërsa vetëm 10 për qind në investime. Ai thotë se duhet të bëhet një strategji për përdorimin e këtyre mjeteve me qëllim që, sipas tij, këto mjete të shërbejnë për rritjen e punësimit në Kosovë.
“Të gjitha këto para janë që kanë shkuar në konsum, ndërsa 10 për qind në investime private. Sido që të jetë, Kosova ka këto mjete dhe llogariten këto mjete, por shtohet çështja se a kemi një strategji për t’i përdorur më mirë këto mjete, a duhet të kopjojmë dikë nga shtetet që e kanë destinacionin të lartë të këtyre mjete në pjesëmarrjen e lartë të produktivitetit të këtyre mjeteve dhe si të shndërrojmë këto fonde në qëllime produktive dhe nëpërmes këtyre qëllimeve të shndërrohen këto mjete në rritjen e punësimit në Kosovë dhe situatës aktuale, sepse këto mjete edhe tani vazhdojnë 90 për qind të përdoren nga shpenzimet e popullatës”, ka thënë ai.
Në vitin 2014, 700 milionë euro remitenca
Sipas tij, nëse nuk do të kishim këto mjete vendi do të ishte në një situatë të vështirë ekonomike.
“Kosova vazhdon të këtë një mbështetje të fuqishme nga diaspora kjo ka ndikuar në zhvillimin ekonomik një kohë të gjatë në zhvillimin e mbijetesës. Do të ishim në një situatë shumë të vështirë nga niveli i ulët i investimeve, sepse ne ende përballemi me probleme serioze të mobilizimit të kapitalit të mjeteve të nevojshme për të financuar zhvillimin e projekteve publike dhe projekteve private.
Ndryshe bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se gjatë vitit 2014 dërgesat nga diaspora ishin 693,7 milionë euro.
Gjatë vitit 2013, dërgesat ishin në vlerë prej 620,8 milionë eurosh, gjatë vitit 2012 ishin 605,6 milionë eurosh, gjatë vitit 2011 584,8 milionë euro, gjatë vitit 2010 ishin 584,3 milionë eurosh, përgatiti Zëri. (b.an)