Yannick Agnel, kampioni olimpik në 200 metra stil i lirë në not, ka premtuar se do t’i vijë rrotull Islandës me not në rast se kombëtarja ishullore arrin të fitojë Euro 2016.
Islanda do të përballet me Francën në çerekfinale të dielën, në Paris, në humor të mirë pas eleminimit të Anglisë në raundin e mëparshëm. Pikërisht fitorja kundër anglezëve bëri që 24-vjeçari francez, fitues i tri medaljeve në Londër 2012, të postojë premtimin në Twitter.
Komenti ka marrë mjaft përgjigje me humor, përfshirë një komentues që i thotë se do ta presë në finish me një tas çokollatë të ngrohtë, ndërsa një tjetër poston hartën e Islandës, e cila tregon se distanca për t’u përshkuar është 2008 kilometra: “28 ditë me 3km/h, më fal nëse më duket shumë”.
Premtimi i Agnelit shkaktoi të qeshura edhe në konferencën për shtyp të Islandës.
“Nuk do t’oa rekomandoja, por është e mundur, megjithëse do t’i duhet të gjejë kohën e duhur”, tha Hallgrimsson, dentisti që ndan detyrën e drejtimit të skuadrës së bashku me suedezin Lars Lagerback.
Temperaturat e detit në Islandë janë zakonisht 10-15 gradë celsius në këtë periudhë të vitit, por në pjesën më të madhe të tij janë paksa mbi zero. Për këtë arsye, noti në det në është diçka e zakonshme atje, sipas një guide turistike.
Islanda ka një popullsi prej 330 mijë banorësh dhe 10 përqind e saj gjendet aktualisht në Francë, shumë prej të cilëve do të shkojnë në stadium të dielën.
Në konferencën për shtyp Hallgrimsson u pyet edhe nëse mund ta krahasonte këtë “pushtim” islandez me masakrën e Parisit më 845, kur lideri nordik Ragnar udhëhoqi 5000 burra drejt kryeqytetit francez duke lundruar në lumin Senë.
“Të jem i sinqertë, nuk di gjë për pushtimin viking të Parisit. S’besoj se ka pasur shumë dhe mbase kanë qenë suedezë”, tha Hallgrimsson me të qeshur, duke parë nga Lagerback.
Guardian/d.i.