Pas një jave nga dita e humbjes së kontakteve me anijen “Çelepia 2”, në pronësi të një qytetari nga Durrësi, ëhstë arrestuar personi që mori peng anijen së bashgku me dy marinarë. Shtetasi Adel Salam, me kombësi egjiptiane, u arrestua nga autoritetet e këtij vendi ku kishte çuar anijen nga dita kur u nis nga Durrësi.
Arrestimi i tij u krye në bashkëpunim me Interpol Tiranën, që tashmë ka nisur procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi. Salam u arrestua në Aleksandri të Egjiptit, ku edhe u konstatua anija e peshkimit “Çelepia 2”. Ndërkohë nuk ka asnjë informacion zyrtar për fatin e dy marinarëve që shtetasi egjiptian kishte marrë peng.
Para disa ditësh ai i dërgoi foto të njërit prej personave të lidhur me zinxhirë, pronarit të anijes, duke kërkuar 70 mijë euro për t’i liruar e për të sjellë anijen. Por më pas Salam shkëputi kontaktet duke deklaruar se e kishte shitur anijen. Aktualisht vijojnë veprimet për gjetjen e dy marinarëve shqiptarë./a.m.