Historiani dhe albanologu kroat Milan Shuflaj, është përkujtuar në 85 vjetorin e vrasjes. Shuflaj njihet për historinë e Ballkanit e veçanërisht të shqiptarëve dhe serbëve.
Me këtë rast u shënua edhe 25 vjetori i pavarësisë së Kroacisë.
Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, tha se ndër veprat kryesore të tij Milan Shuflaj për historinë e shqiptarëve është ajo “Serbët dhe shqiptarët” e cila hedh dritë shkencore mbi këto relacione.
“Albanologjia në masë të madhe është formuar me ndihmën e pakursyer të dijetarëve në radhë të kombeve të tjera, interesimet e tyre shkencore kanë bërë që opinioni botëror të mësojë më shumë për shqiptarët, për gjuhën e kulturën e tyre në veçanti në kontekstin e kulturave evropiane dhe për të kaluarën e tyre të lashtë.
Këta albanologë në mesin e të cilëve është pa dyshim edhe Milan Shuflaj që ka ndriçuar aspekte të historisë sonë si një komb me miqësi që nga lashtësia deri më sot”, tha Matoshi.
Kurse profesori Muhamet Malaj, tha se Shuflaj u vra tinëzisht, pikërisht për shkak se tentoi ta shkruajë historinë e drejtë shqiptare.
“Njohja brilante e së kaluarës ballkanike e në veçanti e shqiptarëve i shërbeu Shuflajt për të paraparë dhe për ti ndërtuar vizionet dhe urat e bashkëpunimit të Ballkanit dhe Evropës për ët ardhmen por puna e tij fatkeqësisht u ndërpre në mënyrë tragjike kur ai në rrugën ‘Dalmatinska’ në qendër të Zagrebit më 19 shkurt të viti 1931 duke hyrë në banesën e tij u godit në mënyrë tinëzare e një shufër metali prapa shpinës dhe u bë viktimë e atentatit të kryer nga dora e serbit Branko Cfergel i cili i takonte organizatës terroriste ‘Mlada Jugoslavia’(Jugosllavia e Re). Në mes tjerash arsyeja e vrasjes së tij tinëzare ishte ed he zotërimi i tij se do ta shkruante historinë e shqiptarëve”, citon kp të ketë thënë Malaj.
Presidenca e Kosovës e ka dekoruar Milan Shuflaj me titullin “Medalje presidenciale e meritave” e cila do të ndahet ditëve në vazhdim, citohet Koha. (b.an)