Përjashtimi me urgjencë i deputetit të LSI-së Përparim Spahiu, nga rradhët e grupit parlamentar të kësaj force politike, praktikisht i ka “dhuruar” një votë “Jo”-së ndaj Reformës në Drejtësi. Edhe pse më parë zyrtarë të LSI kanë shprehur qëndrime të ndryshme nga linja politike e partisë, ndaj tyre nuk është aplikuar largimi nga grupi parlamentar.
Por krejt e kundërta ka ndodhur me deputetin Spahiu. Ky i fundit është “kryqëzuar” menjëherë pas postimit në rrjetin e tij social privat, në vend që të kishte një masë disiplinore më të lehtë sesa largimi nga grupi. Ende pa u tharë “boja” në atë çfarë kishte shkruar në Facebook Spahiu, LSI-ja me urgjencë e dënoi këtë qëndrim dhe brenda 48 orëve e përjashtoi nga grupi i saj parlamentar.
Praktikisht ky vendim i grupit të LSI-së ka çuar një votë në kampin e PD-së, që është kundër votimit në Kuvend të draftit të Reformës në Drejtësi, në momentin kur llogaritë e numrave në Kuvend janë milimetrike, sa i përket kuorumit kushtetues që duhet për paketën në drejtësi.
Spahiu nuk është se votoi kundër reformës, ai thjesht u përjashtua pse shfaqi një opinion. Të tilla opinione deputetët shfaqin me dhjetra. Dhe s’duhet të harrojmë që LSI nuk ka qenë kurrë kaq energjike deri më sot, në dënimin e opinioneve “alternative” që deputetët e saj kanë pasur ndaj draftit të reformës në drejtësi. Pse gjithë ky nxitim kësaj rradhe?!