Pas përfundimit të mbledhjes së këshillit të mandateve dhe rregullores, deputeti Fatmir Xhafaj është shprehur se drafti i reformës do të kalojë seancë, duke ju referuar kështu precedentit të vitit të kaluar kur votohej ligji për dekriminalizimin.
“Ajo çfarë ka shkruar Gramoz Ruçi (në një letër dërguar Ilir Metës për çuarjen në seancë të draftit) është çfarë kanë kërkuar Paloka dhe Bylykbashi për dekriminalizimin, që produkti i komisionit parlamentar të kalonte në seancë dhe kjo po ndodh”, ka thënë Xhafaj.
Ai ka theksuar se në rastin e dekriminalizimit, drafti kaloi në seancë me vetëm me 2 firma deputetësh, të Bylykbashit dhe Ballës, si kryetar dhe nënkryetar të komisionit të posaçëm parlamentar.
“Preçedenti është njësoj sikur është një grup, ashtu edhe kur janë disa grupe. Nuk mund të thuash që kur jemi disa grupe ta bëjmë kështu, kur jemi një ta bëjmë ashtu. Rregullorja është një e vetme”, ka insistuar Xhafaj.
Ai ka sqaruar më tej se, “drafti do të hyjë në proçedurë, më pas do të hyjë në kalendar e pastaj do ta shqyrtojë ligjvënësi”, në vartësi të disa aspekteve.
Pas mbledhjes deputeti demokrat Arben Ristani e ka cilësuar kërkesën e deputetëve të maxhoracnës si në kundërshtim me rregulloren e kuvendit, e konkretisht me nenin 77 të saj.
Ristani ka shtuar se gjithçka do të vendoset në konferencën e kryetarëve dhe se nuk mund të vazhdohet me parimet e Enver Hoxhës.
“Ishte një kërkesë jashtë ligjit, jashtë normales me sa duket menduan ta shtrojnë në komisionin e rregullores për t’ju përgjigjur pyetjes nëse duhet të zbatohet neni 77. Neve nuk na bind logjika e të majtëve por rregullorja e kuvendit.Do kalojë nga konferenca e kryetarëve e cila do vendosë sigurisht në bazë të rregullores. Kemi të bëjmë me një reformë të rëndësishme që me sa duket do shkojë pa konsensus sepse ata nuk duan të ecin me shpejtësinë veneciane. Është një ecje arrogante, shumë vite prapa për Shqipërinë. Edhe për dekriminalizimin është ndjekur e njëjta procedurë sipas nenit 77. Kur kalohet në seancë kalohet mbi bazën e nenit 77 të rregullores. Kjo është e shkruar dhe nuk di tjetër. Duhet të ecim në bazë të rregullave të shkruara. Praktika e kësaj maxhorance që ecën sipas kohës së Enverit: “Pse ligjet tona do na pengojnë ne?!”, tha Ristani./java/a.k