Ligji i shumëpërfolur i Pronave, i dërguar në Gjykatën Kushtetuese me kërkesën e Presidentit, si antikushtetues, po kthehet në një shqetësim jo vetëm për pronarët dhe qeverinë shqiptare, por edhe për Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mbetet në qëndrimin e tij se, ky ligj duhet rishikuar.
“Ligji është thellësisht antikushtetues, është një ligj që bie ndesh me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, bie ndesh me të gjitha vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, bie në kundërshtim të plotë me vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Ky ligj do të vazhdojë ta thellojë penalizimin e Shqipërisë, do të vazhdojë të rëndojë dënimet dhe penalizimet financiare të buxhetit të Shqipërisë. Së pari, duhet mbrojtur dhe realizuar e drejta e qytetarit shqiptar, e çdo qytetari shqiptar mbi pronën e tij personale dhe private. Së dyti, pikërisht meraku im që e kam kundërshtuar ligjin aktual ka qenë që të mos vazhdojë penalizimi dhe ngarkesa financiare ndaj shtetit shqiptar për shkak të këtij lloj ligji”.
Kreu i shtetit e konsideron të pavend kërkesën e qeverisë ndaj Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strazburg, për të pezulluar gjykimin e çështjeve të pronave në Shqipëri.
“Mua më erdhi shumë rëndë kur e kam dëgjuar. Kur kërkohet që gjyqtarët e Strasburgut të mosfunksionojnë dhe të ndalojnë punën e tyre, imagjinoni sesi ata krijojnë perceptimin e raporteve që ndërton shteti shqiptar me gjyqtarët e sistemit tonë të brendshëm”.
Edhe pse i ka thyer për rishqyrtim kësaj mazhorance rreth 20 ligje, vendimet e tij nuk i konsideron të motivuara politikisht.
“Kjo është një logjikë e dobët politike. Është e vërtetë që unë gjatë këtyre katër vjetëve në detyrë kam rikthyer për rishqyrtim në Parlament rreth njëzet ligje, por nga ana tjetër gjatë këtyre katër vjetëve kam miratuar me dekret më shumë se pesëqind ligje dhe akte të tjera të kësaj qeverie. Pra, po të shikosh raportin, kjo nuk tregon për një qëndrim politik. Opozita e asaj kohe që është mazhoranca e sotme le të thotë një ligj të vetëm për të cilin ish-opozita, mazhoranca e sotme, e ka kontestuar si një ligj antikushtetues dhe nuk ka pasur për të mbështetjen e Presidentit! Pra nuk ka pasur asnjë rast të tillë, të paktën gjatë kohës kur unë kam qenë në Zyrë si President. Nëse vetë opozita e kohës, mazhoranca e sotme i ka miratuar dhe i ka mbështetur të gjitha ligjet dhe nuk ka pasur kontestim për asnjë ligj, si mund të kishte Presidenti?”
Mazhoranca aktuale i referohet Reformës në Drejtësi, si zgjidhja e shume çështjeve. Edhe kreu i shtetit ndan të njëjtin qëndrim, por ai i mëshon gjetjes së konsensusit për miratimin e Reformës.
“Unë kam qenë i pari që kam iniciuar nevojën e nisjes së procesit për Reformën në Drejtësi që në Tetor të vitit 2014 kam organizuar tryezën dhe konferencën e parë me të gjitha palët politike, me të gjithë aktorët prezentë, me operatorë të ndryshëm vendas dhe të huaj. Kam qenë gjithmonë në mbështetje të procesit të reformës në sistemin e drejtësisë, i cili është padiskutim një nevojë emergjente. Unë do të thosha që përsa koha janë të pandara pjesa e përgjegjshmërisë, e angazhimit dhe e përgjegjësisë, në këtë sens të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e rëndësishëm që kanë për të arritur kompromisin e nevojshëm. Dhe unë besoj se çelësi i suksesit qëndron pikërisht tek kompromisi. Përtej kompromisit do të ishte shumë e vështirë për të krijuar e për të konsoliduar qoftë besueshmërinë e procesit, qoftë edhe mënyrën se si do të funksionojë më pas një mekanizëm i tillë i nevojshëm”./ Tv Klan/a.k