Nga Andi Malasi
Mjaftuan disa postime të faqes zyrtare të UEFA-s ku vlerësohej paraqitja e kombëtares shqiptare, qytetaria dhe spektakli që dhuruan tifozët kuqezinj, që shqiptarët të dashuroheshin me organizmin më të lartë të futbollit evropian, aq shumë të mallkuar e kritikuar (me të drejtë) për padrejtësinë që na bëri pas ndeshjes kundër Serbisë. Pasi u rrahën djemtë e kombëtares sonë e, pasi stolat përplaseshin në kokat e futbollistëve tanë, UEFA i dha edhe 3 pikë Serbisë në tavolinë pasi “shqiptarët refuzuan të ktheheshin të luanin” –po ku të luanin mes mijëra serbëve që i godisnin me ç’të mundnin? (Edhe pse arbitri nuk mbante mend nëse u kishte kërkuar të ktheheshin në fushë…)
Këtë episod që mendoj se këto ditë e kishim lënë pas shpine, e solla sa për të kujtuar se sa shumë na ka dashur ne shqiptarëve UEFA.
Interesant ishte fakti se në faqen e zyrtare të UEFA-s dhe në llogarinë në Facebook mbizotëronin fotot nga spektakli që kanë dhuruar prej fillimit të kampionatit evropian në Francë tifozët shqiptarë. Shumë emocionues ishin për shqiptarët edhe shkrimet e disa gazetave prestigjoze ku me siguri një prej titujve që do mbahet mend gjatë është “Rrini sa të doni”-shoqëruar me një foto të tifozëve kuqezi.
A thua se papritur shqiptarët e nëpërkëmbur përherë, të paragjykuar si popull që “bën vetëm krime” tashmë duhen nga UEFA apo nga vende që përherë na kanë parë si “delen e zezë”???
Spektakli apo qytetaria që shfaqën tifozët kuqezi dhe kombëtarja jonë në fushën e blertë, tregoi imazhin e vërtetë të kombit tonë, por dyshoj se na duan…
Po pse atëherë për shqiptarët po flitet kaq shumë, po vlerësohen kaq shumë???
Marketing!
Kjo është fjala që i përmbledh të gjitha. Kampionati evropian është një festë futbolli. Dhe deri tani, një festë të vërtetë kanë arritur ta kthejnë të vetëm, po po, të vetëm shqiptarët…
Janë shqiptarët që kanë zbukuruar rrugët e qyteteve franceze, me shfaqje spektakolare, këngë patriotike, dhe mbi të gjitha sjellje qytetarie. A nuk duhet të ishte i tillë ky event ku kombet pjesëmarëse të krenoheshin me arritjet e tyre?? Po ku ta gjejnë suksesin e eventit nëse nuk reklamojnë spektaklin që ka dhuruar tifozeria shqiptare.
Kush më shumë se shqiptarët i dha vlera eventit të organizuar nga UEFA? Askush!!!
Kush më shumë se shqiptarët tregoi patriotizmin pa cënuar të tjerët? Askush!!!
Kush më shumë se shqiptarët e ktheu në festë të sportit Evropianin? Askush!!!
Tifozeritë e tjera ose nuk i kanë dhënë asgjë këtij eventi, ose mbahen mend për veprime skandaloze si përleshjet mes tifozëve rus dhe atyre anglezë. Si të mos mjaftonin ato veprime, nuk munguan as deklaratat politike nga shteti rus për të mbrojtur të pambrojtshmen, huliganizmin.
Ja pra pse u duhet Shqipëria! U duhet, spektakli, qytetaria, festa, entuziazmi, suksesi i eventit!
Të gjitha këto i kanë dhuruar shqiptarët! I ka dhuruar kombëtarja jonë heroike në fushë dhe mbështetësit në shkallët e stadiumit dhe rrugët e Francës!
Ata me paragjykime përherë, por ne shqiptarët u imponuam fort me vlerat tona që shfaqëm si kurrë më parë.
Nuk na duan, u duhemi…!