Mazhoranca nuk ka mundur të unifikojë votat për rrëzimin e dekretit të Presidentit për ligjin “Për masat shtesë të Sigurisë Publike”. Dy aleatët e PS në qeveri LSI e PDIU janë ndarë me votë nga PS për këtë çështje, duke i lënë socialistët në minorancë në komision. Nga 13 anëtarë të komisionit të pranishëm, 6 deputetë të PS votuan kundër presidentit, LSI abstenoi me 4 deputete e saj ndërsa PDIU bashkoi votën e saj me PD në mbështetje të kreut të shtetit.
Para votimit të dekretit në komision palët kanë debatuar ashpër për këtë projektligj. Deputeti demokrat Flamur Noka solli dy dokumente te PAMEKA dhe ICITAP të cilët me shkresë zyrtare kritikojnë qeverinë për këtë ligj i cili sipas tyre cënon sigurinë dhe privatësinë e qytetarëve. Për këto dokumente i kërkuan informacion zëvendës ministrit të brendshëm Stefan Cipa, edhe deputetët e LSI Spartak Braho dhe Luan Rama.
Kostoja e instalimit të kamerave sipas PD dhe LSI shkon në 20 milion euro,për këtë çështje zëvendësminsitri ndonëse nuk foli me shifra sqaroi parashikimet e ligjit. Në këto kushte pa shumicën e votave në komisionin e sigurisë, dekreti i Presidentit që ktheu ligjin për masat shtesë të sigurisë publike do ti kalojë për votim seancës parlamentare. Në seancë pritet që me votë ë përcaktohet qëndrimi përfundimtar i forcave politike për këtë çështje.
ma.me