Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla në një dalje publike para mediave deklaroi se prindërit duhet të denoncojnë çdo rast kush shohin se fëmijët e tyre bien pre e dhunës nëpër institucionet arsimore.
Ndër të tjera Nikolla tha se janë bërë inspektime herë pas here, ndërsa janë hequr licencat në rastet kur nuk janë zbatuar kriteret.
“Kërkojmë që të gjithë prindërit të denoncojnë rastet e dhunës. Para se të nisim gjykimet, do vëmë në dispozicion të gjitha strukturat. Inspektimi është bërë më përpara, ka peridiocitet. Janë institucione, mediat, por edhe prindërit për të evidentuar të gjithë rastet dhe ti denoncuar. Nëse do ishte në dijeninë time që ka institucione pa licenca, ato do hiqeshin. U është hequr licenca atyre që s’kanë plotësuar kushtet”, tha Nikolla.
Por, teksa është pyetur në lidhje me kriteret që duhet të përmbushin institucionet arsimore për tu licencuar, Nikolla nuk iu përgjigj interesit të gazetares, ndërsa nuk nguroi të replikonte ndaj saj jashtë mikrofonit.
Nikolla iu drejtua gazetare së ‘ABC News’ se pse e bëri atë pyetje, ndërsa gazetarja iu përgjigj se: ‘Doja të dija kriteret që duhet të plotësohen që këto institucione duhet të marrin licencat’. Ndërkohë, Nikolla i tha se: “Është njësoj sikur të pyes unë sesa është numri i gazetarëve në punë, nëse janë të diplomuar apo jo”.