EKSKLUZIVE JAVANEWS / Institucionet parashkollore jopublike, që njihen shkurtimisht me emrin Kopsht Privat, kanë një procedurë të përcaktuar me ligj për licencimin dhe funksionimin e tyre. Duhet të ndodhin ngjarje si ajo e ‘Diren’ në Sauk, që interesi për ligjet në fuqi dhe zbatimin e tyre të na zgjohet. Në fakt, udhëzimi për dhënien e lejeve të kopshteve private është sa tolerant, aq edhe i ngatërruar.
Megjithatë në thelbin e rregullave, që Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka publikuar, qëndrojnë vetëm dy ‘ngërçe’ që i mundojnë shumë biznesmenët për ta hapur një institucion të tillë. Detyrimet e tjera mbeten çështje teknike që çdo godinë do t’i plotësonte. Fjala bie, në standardet që duhet të plotësojë, në pikën f, kërkohet që “për ndriçimin natyral, sipërfaqja e dritareve të mbulojë minimalit 15% të sipërfaqes së dyshemesë”… Dhe dritaret nuk duhet të jenë në të njëjtin mur ku është dërrasa e zezë!
Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit e detyron aplikuesin që të dorëzojë një listë të plotë të stafit drejtues, mësimdhënës dhe të dhënat mbi arsimimin përkatës të stafit si dhe ngarkesën mësimore të tij. Por, në asnjë pikë nuk përcaktohet nëse stafi duhet të ketë përfunduar Ciklin e Ulët, Psikologjinë apo shkollim tjetër të linjës.
Dokumentacioni i aplikimit kërkon vetëm listën e mjeteve didaktike, që në rastin e kopshteve janë kryesisht lodrat dhe lapsat me ngjyra, por nuk dihet se kush e fakton ekzistencën e tyre. Megjithatë, këto mjete mund të blihen lehtësisht të përdorura në atë që rëndom e quajmë ’Gabi’. Në pikën G të standardeve normative që duhen përmbushur është edhe lehtësimi më i madh. Kopshtet private ‘detyrohen’ të kenë minimalisht 3 dhoma mësimore.
Sa i përket kushteve higjienike, udhëzimi i detyron kopshtet të kenë banjot pranë secilit grup. Sipas Pikës C, banjot duhet të kenë katër lavamanë dhe ujë të pijshëm. “Banjat duhet të kenë porta të hapshme nga jashtë dhe të shkëputura nga dyshemeja. Pajisjet e banjave duhet të jenë të përshtatshme për moshën e fëmijëve” – thuhet për detyrimet e subjektit. Nga ana tjetër kërkohet që personeli të ketë banjot e tij ndërsa ambientet të mos komunikojnë me njëri-tjetrin.
Ndërkohë, për aplikimin në QKL subjekti detyrohet të paguajë 35 mijë lekë të reja gjithsej ndërsa një fëmije në muaj i merr 10 mijë lekë të reja deri në 250 euro. Kjo duhet të jetë edhe arsyeja kryesore pse në vend ka qindra institucione parashkollore jopublike dhe pronarët e tyre nuk vijnë nga bota e edukimit të fëmijevë. Mjafton një objekt, që kryesisht janë vila betoni në perfieri, dhe të hapni një biznes të tillë. (javanews.al / r.a)
Procedurat per dhenien e lejeve: http://www.arsimi.gov.al/al/ministria/sherbimet/dhenia-e-lejes-per-funksionimin-e-institucioneve-arsimore-jopublike-dhe-te-institucione-arsimore-plotesuese-jopublike