Autoritetet në Iran deklarojnë se kanë shmangur një plan të organizuar nga militantë sunitë për të sulmuar me bomba objekte të ndryshme të rëndësishme në Teheran dhe qytete të tjera të vendit.
Ministria për shërbimet e inteligjencës ka deklaruar se anëtarë të një “grupi terrorist anti-islamik takfiri” janë arrestuar dhe sasitë e eksplozivit në posedim të tyre janë sekuestruar.
“Takfiri” është një term i përdorur nga autoritetet në Iranin shiit për të etiketuar ekstremistët sunitë, që i cilësojnë myslimanët e tjerë si femohues që meritojnë vdekjen raporton tch.
Aktualisht Irani po ndihmon si qeverinë siriane ashtu dhe atë irakene për të luftuar grupet xhihadiste, të udhëhequra nga Shteti Islamik, që i konsideron shiitët si të pafe për nderimin e familjes së profetit Muhamed dhe të besimeve të tjera fetare.
Militantët që deklarojnë se mbrojnë pakicën sunite në jug-lindje të Iranit kanë kryer një seri sulmesh kundër shtetit në vitet e fundit.
Ministria e shërbimeve të inteligjencës ka deklaruar se, hetimi i agjentëve të saj po vazhdon si brenda ashtu edhe jashtë Iranit.
“Informacion i përditësuar do t’i komunikohet kombit të madh iranian sapo të jenë krijuar rrethanat e përshtatshme”, ka shtuar ministria./a.m.