Është zhvilluar sot në Gjykatën e Lartë seanca e radhës ndaj çështjes ‘Prenga’ ku deputeti Armando Prenga është konfliktuar me familjen Cali, për të drejtën e shfrytëzimit të Luginës së Patokut. Në seancën e sotme, kanë dëshmuar roja e spitalit të Laçit Pashk Çoku dhe një efektiv i forcave Shqiponja, Dritan Beqiri ku ky i fundit ka thënë se ka pasur një debat verbal mes Prengës dhe Calëve. Ndërkohë, roja e spitalit ka shpjeguar mënyrën sesi kanë mbërritur në spital personat e plagosur dhe sesi disa u dërguan drejt spitalit të traumës.
“Ka shkuar debat verbal mes Prengës dhe palës tjetër, Calëve. I kërkuam Prengës që ta dorëzonim në një ambient më të sigurt nga spital dhe e dërguam në drejtorinë e Tiranës dhe janë marrë masa që të mos kishte incidente’ tha ai.
“Kam treguar rrethanat si kanë mbërritur të plagosurit në spitalin e Laçit dhe Tiranës” tha ai.
Në seancën e sotme u kërkua që të thirrej një mjek i spitalit të Laçit dhe një mjek i spitalit të Traumës për të dhënë dëshmitë e tyre. Deputeti i Partisë Socialiste Armando Prenga u arrestua në flagrancë nga policia, pasi u përfshi në një përleshje masive me anëtarë të familjes Cali në Laç për një konflikt mes tyre në lidhje me tenderin për peshkim në Lagunën e Patokut, e drejtë e cila i është dhënë në mars të 2015 vëllait të deputetit. Bashkë me Prengën u arrestuan edhe 5 persona të tjerë, Anton Leka, Gazmir Jushi Gjokë, Nikoll dhe Gjergj Cali të përfshirë në sherrin e ndodhur pas mesnate. Deputeti Prenga akuzohet zyrtarisht për armëbajtje pa leje, kanosje serioze për vrasje dhe plagosje e rëndë me dashje.
Konflikti me armë, thika dhe mjete të forta ndodhi pranë komisariatit të Kurbinit dhe mbetën të plagosur 7 persona, mes të cilëve edhe Eduart Prenga, vëllai i deputetit, 2 prej tyre me armë zjarri. Policia e Shtetit konfirmoi se Prenga ka plagosur një person të familjes Cali, Gjergjin, aktualisht i vënë në pranga. Shefi i komisariatit të Kurbinit, Nik Nikolla tha në një deklaratë për mediat se Prenga e ka qëlluar me qytën e pistoletës dhe ende nuk është përcaktuar nëse ka hapur ose jo zjarr me pistoletën e tij.
Sherri nisi fillimisht në lokalin e fisit Cali në zonën e Patokut dhe më pas është zhvendosur përballë komisariatit, aty ku palët kishin shkuar për të kallëzuar njëri-tjetrin për kanosje me jetë. Prenga pati deklaruar se familja Cali i kishte dalë në pritë.
ma.me