Ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se ka arritur marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për përmirësim të koordinimit të operacioneve të tyre ushtarake në Siri.
Dje, Pentagoni e ka akuzuar ushtrinë e Rusisë se i ka marrë në shënjestër forcat opozitare siriane në pjesën jugore të Sirisë, që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.
Ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se zyrtarët ushtarakë nga të dy vendet janë pajtuar për përmirësim të koordinimit në terren, gjatë një video konference.
Uashingtoni ende nuk i konfirmuar këto deklarata ruse.
Zëdhënësi i Ministrisë së mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, tha se hapësira e sulmuar më 16 qershor, ishte 300 kilometra larg nga lokacionet të cilat Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë që janë nën kontroll të forcave legjitime opozitare, transmeton REL.
Ai ka insistuar se forca ajrore ruse paraprakisht e kishte njoftuar koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për caqet në tokë, që do t’i sulmonte.
Akuzat e djeshme të Pentagonit u bënë në kohën kur ministri i mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, e bëri një vizitë befasuese në Siri, për të diskutuar për bashkëpunimin ushtarak “në luftën kundër organizatave terroriste në tokën e Sirisë”. (b.an)