Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka reaguar në lidhje me përfshirjen e emrit të të ndjerit gjyqtarit Skerdilajd Konomi në hetimin e disa pronave në ‘Zvërnec’. Me anë të një deklarate drejtuar mediave, togat e zeza kanë inkurajuar prokurorinë për zbardhjen e këtij rasti hetimi, ndërsa theksohet se kjo çështje nuk ka lidhje me vrasjen e gjyqtarit Konomi.
Më datë 14 qershor, Prokuroria e Vlorës sekuestroi 89 hektarë tokë në zonën e Zvërnecit, me vlerë rreth 110 milionë euro sipas çmimeve zyrtare, e dyshuar se është përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Raimond Mezi. Nga aktet hetimore, rezultoi se Raimond Mezi është njohur me vendim gjyqësor si pronar i sipërfaqes 89 hektarë, në bazë të një vendimi gjyqësor të vitit 2003, dhënë nga gjyqtari Skerdilajd Konomi. Prokuroria e Vlorës e ka konstatuar tërësisht fiktiv këtë vendim, pasi, në kohën e dhënies së vendimit, i ndjeri Konomi nuk ka qenë gjyqtar.
DEKLARATA E GJYKATËS
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka ndjekur me vëmëndje zhvillimet e fundit mediatike, në lidhje me ecurinë e hetimeve të filluara nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, që lidhen me dyshimet e arsyeshme të kryerjes nga ana e personave përgjegjës, të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, që kanë të bëjnë me titujt e pronësisë mbi sipërfaqe të caktuara tokë, të ndodhura në qytetin e Vlorës.
Së pari, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, shpreh dhe rikonfirmon edhe një herë inkurajimin dhe bashkëpunimin më të ngushtë institucional me organin e prokurorisë, që jo vetëm në rastet e bëra mediatike, por edhe në eventualitetin e evidentimit të rasteve të tjera analoge, për zhvillimin e një hetimi të plotë, profesional, objektiv dhe të gjithanshëm, në respekt të parimeve kushtetuese të shtetit të së drejtës, ushtrimit të ndjekjes penale sipas parimit të ligjshmërisë, si dhe transparencës dhe të drejtës për informim, me qëllim vënien përpara drejtësisë të çdo personi, pavarësisht statusit apo cilësisë së tij.
Duke marrë shkas nga disa publikime në median e shkruar dhe atë vizive, në lidhje me rastin më të fundit të zbuluar nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, të dyshimeve të arsyeshme të krijuara mbi falsifikimin e titujve të pronësisë mbi një sipërfaqe toke, të ndodhur në zonën e “Zvërnecit”, ku midis të tjerave, ka rezultuar edhe një vendim gjyqësor i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, i vitit 2003, i dyshuar se është nënshkruar nga ana e kolegut, të ndjerit z. Skerdilajd Konomi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, në respekt të të drejtës themelore kushtetuese për informimin e publikut, etikës profesionale, si dhe në respekt të normave dhe parimeve të përgjithshme të moralit dhe dinjitetit njerëzor, realizon këtë njoftim për median e shkruar dhe atë vizive, duke sqaruar si më poshtë:
Se prezenca e një vendimi gjyqësor, i dyshuar se, është dhënë nga ana e kolegut, të ndjerit z. Skerdilajd Konomi, në vitin 2003, periudhë kohore në të cilën i ndjeri z. Skerdilajd Konomi nuk ka ushtruar funksionin kushtetues të gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka ardhur si rezultat i tërësisë së veprimeve hetimore të kryera nga ana e organit të prokurorisë, në funksion të procedimit penal të nisur si më sipër, për të cilat organi i prokurorisë ka tagrin kushtetues të ushtrimit të ndjekjes penale dhe vënies përpara përgjegjësisë ligjore të autorit apo autorëve të këtyre veprimeve të kundraligjshme, dhe nuk ka asnjë lidhje vdekjen tragjike të kolegut z. Skerdilajd Konomi, për të cilën, trupa gjyqësore e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, gjen rastin të inkurajojë sërish organet ligjzbatuese, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të paprecedent në historinë e ekzistencës së shtetit Shqiptar. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë kërkon nga media e shkruar dhe ajo e vizive që të ruajnë etikën profesionale dhe vetëpërmbajtjen në raportimin e lajmit, të respektojnë kujtimin e të ndjerit, gjendjen emocionale të rëndë të familjarëve të tij dhe gjithashtu të krijojnë klimën e përshtatshme për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm për organet e ndjekjes penale. Gjykata vlerëson se, çdo aludim konspirativ dhe subjektiv mbi vrasjen e të ndjerit dhe aktivitetit penal nën hetim krijon premisat dhe cenon çdo vlerë njerëzore dhe shtetërore të sjellë në vëmendje më lart.
Së fundmi, duke qënë e vetëdijshme për rolin e pazëvëndësueshëm dhe themelor që ka pushteti mediatik, në një shtet demokratik dhe të së drejtës, në funksion të garantimit të të drejtës themelore për informimin e publikut, si dhe duke shprehur të gjithë mirënjohjen dhe vlerësimin institucional për misionin dhe veprimtarinë e përditshme të medias së shkruar dhe asaj vizive në Shqiëpri, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, mbetet e hapur dhe e gatshme që në vijim, të ofrojë mbështetjen dhe të mirëpres çfarëdo forme bashkëpunimi institucional me organet mediatike, në respekt të plotë të normave dhe parimeve kushtetuese dhe ligjore që rregullojnë këtë raport. (bw / r.a)