Nga Roman Deininger *
Fotot nga Jakob Berr
(Reportazh nga Shqipëria)
Të shpjegosh botën me anë të futbollit? Çartje. Ta kuptosh më mirë të vuajturën, të paepurën Shqipëri me anë të futbollit? Le të bëjmë një provë. Një rrugëtim nëpër një vend që prej shumë kohësh pret të zbulohet.
Arian Leka është njeri i fjalës, shkrimtar, por kur rrëfen i pëlqen të marrë për ndihmë edhe duart, të dyja. Me gjunjë e manovron japonezen e tij të vjetër nëpër trafikun e dendur të rrugës gjarpëruese që të zbret nga Durrësi në detin mesdhetar. “Kështu ka qenë gjithnjë në Shqipëri,” thotë Arian Leka. “Prej andej, nga deti na ka ardhur gjithçka. Dora e djathtë e tij që do të bënte mirë të ishte te timoni tregon nga uji, dhe si për siguri edhe e dyta.
Arian Leka, flokët tashmë ngjyrargjendi, të gjatë, që teksa nget makinën nganjëherë i bien mbi sy, vetulla, që Theo Waigel do t’ia kishte qethur në çast, ka qenë fëmijë në komunizëm, këtu në qytetin port të Durrësit. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë ishte varianti evropian i Koresë së Veriut, diktatorit, Enver Hoxha, në fillim iu dukën sovjetikët tepër liberalë, pastaj edhe kinezët. Në portin e Durrësit anijet vetëm natën fikeshin, për të ruajtur terrin, izolimi ishte i plotë. “Por unë kisha një dritare për të parë botën”, thotë Arian Leka duke shtyrë me forcë derën e makinës. “Një dritare gjigande”.
Në plazhin e Durrësit, si djalë i ri, kolensiononte sendet që nxirrte deti, një kanoçe Coca-Cola, një shishe “Heineken”, një kuti të metaltë “Marlboro”. Këto ishin trofe, ushqim i përmallimit. Padyshim, deti ishte muri i burgut shqiptar, por ish më shumë se kaq, një premtim. Që diku matanë, tej horizontit, shtrihej bota e ndaluar, në të cilën ka xhinse, ka vajza të veshura me xhinse, dhe vajza të veshura me xhinse nëpër makina sportive. Dhe sidomos: diku tej horizontit luante Bari kundër Napolit, Bavaria kundër Gladbach-ut, Barça kundër Realit.
“Futbolli”, thotë Arian Leka, “ka qenë gjithnjë një pjesë e rëndësishme e fantazisë sonë. Futbolli për ne ishte një copë liri.”
Të shpjegosh botën me futboll? Çartje. Ta kuptosh pak më mirë me ndihmën e futbollit këtë Shqipëri të vuajtur, të vogël, krenare? Le të bëjmë një provë sërish.
Arian Leka pyet: “Çfarë mendojnë gjermanët, kur mendojnë për shqiptarët?”
Obobo. Mirë atëherë: “Azilkërkues, për të cilët kemi ngritur ca qendra dëbimi të shpejtë, fringo fare. Korrupsion. Tregti me njerëz. Krim përgjithësisht. Varfëri. Gjakmarrje. Karl May natyrisht, “Toka e Skipetarëve”, një tokëzë e mjerë. Diçka të këndshme? Hëm. Altin Rraklli, trupvogli nga Unteraching! Igli Tare, trupmadhi nga Kaiserlautern!
“E sheh”, thotë Arian Leka butë. “Futboll.” Sytë e tij pushojnë mbi valë. “Ne kemi pritur të na zbulonin. Por askush nuk edhi. Ende jemi në pritje.”
Çfarë është suksesi? Në plazh të Durrësit, shkrimtari Arian Leka më thotë se nuk ka shumë rëndësi sesi do të përfundojë ndeshja me Zvicrën, Francën, apo Rumaninë. Por që ndoshta ZDF ose BBC ose televizioni islandez do të tregojnë disa pamje nga Shqipëria, nga një vend, ku malet mund të shërbejnë si trampolinë për t’u kredhur në det, në të cilin minaret dhe kullat e kishave puthin qiellin, disa pamje nga një vend që e meriton të zbulohet.
Në Tiranë botën e parë e ndajnë vetëm 15 minuta me makinë nga bota e tretë.
Futbolli i bën njerëzit të qeshin nga gëzimi dhe të qajnë nga dhimbja, kudo. Por kësaj vere futbolli zor se prek ndokënd më shumë se shqiptaret.
Mbërritje në Tiranë. Apo në Nicë? Malet teposhtë do të ishin një trampolinë e magjishme për t’u hedhur në det. “My friend”, më thotë burri te sporteli i bagazheve të humbura në aeroportin “Nënë Tereza”, të ngrohet zemra. “Miku im, të dielën do të vijë valixhja”. Është e enjte, katër ditë pritje, por nuk më bëhet t’ia prish qejfin mikut tim të ri.
Autobusi gjëmues i aeroportit më shumë kërcen prej shpërthimeve në brendinë e motorit sesa udhëton. “My friend”, thotë shoferi. Dhe ndalet – mu në mes të trafikut për t’i mundësuar pasagjerit të tij nga Gjermania një pamje të mirë mbi “Hotelin Jurgen”. Pastaj frenon edhe për një reklamë të markës gjermane të ngjyrave “Deutschcolor” dhe për “Deutsch Market” që bën reklamë me flamuj belgë.
Gjëja e parë që të bie në sy te shqiptarët është dashuria e tyre për gjermanët. “Volkswagen”, thërrasin enkas për nder të mikut gjerman në autobus sa herë që shohin jashtë një VW, çdo herë. Janë të bindur, se Angela Merkel është e dalldisur pas kryeministrit të tyre shtatselvi, si dëshmi sjellin një fotografi në të cilën Merkel vërtet e sheh Ramën me atë far buzëqeshje që zakonisht e ka kur shikon Bastian Schweinsteiger-in gjysmëlakuriq.
Kualifikimin për KE 2016 shqiptarët e nisën fuqishëm, me fitore në Portugali. Në fund mbetën tre ndeshje, një fitore do të mjaftonte për të hyrë në Francë dhe në anale. Humbën në vendin e tyre kundër Portugalisë. Pësuan gol në minutat shtesë. Humbën në tokën e tyre kundër Serbisë, pësuan gol në minutat shtesë. Finalen e patën në Armeni. “Presion më të madh nuk kemi për të ndjerë ndonjëherë”, thotë Gianni De Biasi, trajneri italian i Shqipërisë. “Një lojë, dhe ti mbetesh për tërë jetën o hero o idiot.” Në aeroplan për Erivan askush nuk bëzante.
Shqiptarët fituan 2:0, por në fytyrat e sportdashësve shihej se ata ende vrisnin mendjen se me çfarë kthese të tmerrshme do t’i dënonte fati kësaj here. Pastaj topi erdhi te Sadiku, Sadikut të ri, 3:0, Armenia u mund. As fati nuk do ta përmbyste dot një diferencë prej tre golash kundër Shqipërisë.
Në fshatrat më të largëta njerëzit u trandën nga gëzimi. Kur ekipi mbërriti në Tiranë, i adhuruari i Merkelit, Edi Rama, kish dalë t’i priste në pistë. Presidenti Bujari Nishani edhe shoferin e nderoi me urdhrin e shtetit. Presidenti tha: “Na krenuat dhe na bashkuat si kurrë më parë”. (b.an)
*0SÜDDEUTSCHE ZEITUNG – 10 QERSHOR. Përktheu nga gjermanishtja Anila Shuka