Pas tri ditësh, rreth 40 mijë maturantë do të testohen në provimin e fundit me detyrim që u mundëson përmbylljen e ciklit të mesëm. Gazeta zbardh programin orientues me ushtrimet që duhet të punojnë fort deri të premten e testimit.
Njësoj si dy provimet e para, edhe testi i Matematikës do të ndahet në dy pjesë: e para me 13 alternativa, që vlerësohen me nga një pikë secila dhe pjesa e dytë me ushtrime që përbëjnë 37 pikë në provimin me 50 pikë gjithsej.
Që një maturant të quhet kalues, ai duhet të marrë së paku 10 pikë në testin që ndahet me disa shkallë vështirësie.
Janë shtatë linja mbi të cilat ekspertët e arsimit, që janë mbyllur prej ditësh brenda ambienteve të AKP-së, kanë ndërtuar tezën finale, e cila do të përmbajë njohuri nga: numri, algjebra, matja, gjeometria, funksioni, njehsimi diferencial e integral dhe statistika e probabiliteti.
Të gjitha këto do të zënë peshë të ndryshme nga 7 deri në 25%.
Kështu, në provim nxënësit duhet të jenë të aftë të përdorin vetitë me numra apo logaritme, si dhe veprime të thjeshta me to, të zgjidhin ekuacione të tipave të ndryshme, të zbatojnë në ushtrime teoremat e mësuara në tri vite gjimnaz.
Një pjesë të mirë do të zërë gjeometria, e cila përbën ¼ e pikëve në test.
Ata do të duhet të zgjidhin situata problemore me shumëfaqësha apo të përcaktojë gjendjen e ndërsjellë të dy planeve e drejtëzave.
Pas kësaj sfide, maturantët i presin dy provimet me zgjedhje që do të jepen brenda një dite, më 24 qershor.
Ndonëse ka ndryshuar formati i testimit, pjesa më e madhe e maturantëve, rreth 11 mijë, vijojnë të kenë anglishten një prej lëndëve të preferuara.
Sa u takon rezultateve të dy provimeve që kanë dhënë tashmë nxënësit, ekspertët janë drejt përfundimit të korrigjimit të testeve të Gjuhës së Huaj, të cilat me gjasë shpallen pasnesër, ndërsa një javë më vonë priten rezultatet e Gjuhë-Letërsisë./ Panorama/ a.k