Një gjykatë në Doha të Katarit i ka dhënë një vit dënim me kusht për tradhëti bashkëshortore një turisteje holandeze e cila ishte droguar dhe më pas përdhunuar në një lokal nate në Doha.
Gruaja 22-vjeçare, e identifikuar vetëm si Laura, ka qenë me pushime në Doha në kohën kur ka ndodhur incidenti. Kur ka denoncuar ngjarjen në polici, është arrestuar dhe prej asaj kohe mbahej në burg.
Ajo gjithashtu është dënuar edhe me gjobë prej 800 dollarësh dhe do të dëbohet nga vendi menjëherë pas pagimit të gjobës. Ambasadorja holandeze në Katar, Yvette Burghgraef-van Eechoud, e cila ka qenë e pranishme në gjykatë, iu ka thënë gazetarëve se ajo do e ndihmojë Lauren që të largohet nga Katari.
“Ne do të bëjmë çdo gjë që është e mundshme për ta larguar atë nga shteti sa më shpejtë që është e mundshme drejt vendit ku ajo ka dëshirë të shkojë”, ka thënë Eechoud.
Sulmuesi i Laurës, një sirian i identifikuar si Omar Abdullah al-Hasan, është dënuar për kryerjen e marrëdhënieve seksuale jashtë martesore, diçka që konsiderohet e jashtëligjshme në Katar. Ai e ka pranuar se ka bërë seks me Laurën, por duke thënë se ishte me dëshirën e saj, pa dhunë.
Dënimi përmbanë 100 goditje me kamzhik dhe 40 goditje të tjera me kamzhik për konsumim të alkoolit.
Pijet alkoolike në fakt lejohen nëpër hotele luksoze në Katar, por për banorët vendës është e jashtligjshme që t’i konsumojnë ato pa lejën e punëdhënësit. Laura pritet të kthehet në Holandë brenda pak ditësh.
D.I.