Kroacia doli e fituar në derbin e Ballkanit ndaj Turqisë 1-0 dhe për këtë ka mjaftuar supergoli i Luka Modric i realizuar në fund të pjesës së parë. Mesfushori i Real Madrid u tregua i jashtëzakonshëm në minutën e 41 kur shënoi nga rreth 25 metra.
Në të vërtetë, Kroacia u tregua një skuadër shumë më e mirë se Turqia, duke dominuar sfidën e duke rrezikuar në jo pak raste.
Kërcënimi i parë erdhi me Ivan Rakitic në minutën e 2, ndërsa turqit u kundërpërgjigjen me Tuzan që tentoi të shënonte disa minuta më vonë.
Në pjesën e dytë, traversa i mohoi golin kapitenit Darijo Srna, i cili mori përsipër të ekzekutonte një goditje dënimi në afërsi të zonës së kundërshtarit.
I njëjti lojtar nuk u tregua i kujdesshëm pak minuta më vonë, kur pas një zhvillimi aksioni nga e djathta, nuk arriti të shtyjë topin në portën bosh të Turqisë, shkruan TCH. Deri në fund, vlen të përmenden edhe dy rastet e Brozovic dhe ato të Perisic, por pa ndryshuar asgjë në rezultatin përfundimtar. Kështu, kroatët marrin vendin e parë në Grupin D, aty ku janë edhe kampionët e Spanjës dhe Çekia.