Atmosfera e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Zvicrës u ndje kudo, në çdo cep të Shqipërisë.
Edhe në Tiranë, në sheshin “Nënë Tereza”, është krijuar Fan Zone ku atomosfera ishte shumë e veçantë. Qindra tifozë u mblodhën në shesh dhe ndoqën Live nga Franca kombëtaren kuqezi.
Megjithëse ndeshja e Kombëtares shqiptare nuk shkoi ashtu siç e prisnin tifozët shqiptarë sërish ata nuk reshtën së bëri tifozllëk të çmendur për kombëtaren kuq e zi.
Entuziazmi ishte i papapërshkueshëm kur lojtarët kuq e zi hynë në fushë dhe ku për herë të parë në një kampionat europian u këndua himni shqiptar, euforia arriti kulmin. Ishte e mahnitshme të dëgjoje sesi me mijëra shqiptarë, si në stadiumin e Lensit edhe në Tiranë kënduan himnin shqiptar.
Por për fat të keq entuziazmi ra shpejt. Shqipëria pësoi gol pas vetëm 5 minutave lojë. Debutimi që askush nuk do ta donte.
Por me rritjen e lojës së kuqezinjve gjatë pjesës së parë rritej vazhdimisht edhe entuziazmi i tifozëve në sheshet dhe lokalet e kryeqytetit.
Rasti për gol i Armando Sadikut ia ngeci në fyt brohorimën “gool” tifozëve shqiptarë.
Më pas dalja me karton të kuq e Lorik Canës shuajti entuziazmin e disa prej tifozëve, të cilët në mënyrë demonstrative u larguan për në shtëpi, duke humbur besimin se Kombëtarja kuq e zi mund ta përmbyste rezultatin në këtë takim.
Me fillimin e pjesës së dytë ka ardhur edhe rritja e lojës së kuqezinjve, të cilët megjithëse me një lojtar më pak, filluan të luajnë shumë më mirë.
Kjo ndezi edhe tifozerinë kuq e zi.
Ishte sërish Armando Sadiku ai që me një rast tjetër të humbur nxehu keq shpirtrat e tifozëve kuq e zi.
Ndërsa nga ana tjetër, portieri Berisha me pritjet e tij të mrekullueshme vijoi të mbante gjallë shpresat e mijëra tifozëve kuq e zi.
Nervat arritën kulmin, kur të gjithë menduan se pas një ndërhyrjeje të Lichsteiner ndaj Lenjanit në zonën e zvicerianëve, arbitri do të jepte penallti. Por jo. Zhgënjimi ishte i madh.
Në fund ‘shënjestra’ e tifozëve kuq e zi u bë sulmuesi Shkëlzen Gashi. Rasti i shpërdoruar prej tij, vetëm për vetëm me portierin, ishte i pafalshëm për shumë tifozë kuq e zi.
Mund të kishim barazuar. Me këtë ide u larguan të gjithë nga Fan Zonë por edhe nga lokalet e shumta në kryeqytet. U larguan, por me shpresën se kjo kombëtare mund të na falë kënaqësi në këtë Evropian. / ATSH