Rreth 20 000 pasagjerë u bllokuan sot në ditën e dytë të grevës së pilotëve suedezë të kompanisë ajrore SAS që shkaktoi anulimin e 159 fluturimeve, bëri të ditur kompania.
“Ne kemi ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në dispozicion për të shmangur zhvillimin e grevës, por fatkeqësisht nuk arritëm një marrëveshje”, deklaroi zëdhënësja e SAS-it, Karin Nyman, nëpërmjet një deklarate.
“Prioriteti ynë aktual është kujdesi ndaj klientëve tanë duke bërë ç’është e mundur për t’i ardhur në ndihmë pasagjerëve të prekur nga greva”, shtoi ajo.
“Fluturimet që drejtohen nga pilotët danezë dhe norvegjezë do të vijojnë normalisht”, sqaroi zëdhënësja. (java / r.a)