Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka dalë sërish në një deklaratë për mediat në lidhje me çështjen e hetimit të prokurorisë për paisjen e përgjimit.
Tahiri i cilësoi skandaloz vendimin e gjyqtarit Arjan Aliaj për të caktuar masat e sigurisë “arrest shtëpie” për efektivët Artion Duka dhe Entiol Xhelilaj.
“Gjyqtari Arjan Aliaj ka vendosur masën “arrest shtëpie’ për oficerin Artion Duka me argumenta skandalozë, të cilët nuk janë të denjë as për një student të juridikut jo më për një gjyqtar të Gjykatës së Tiranës.
Pëprjekje e dështuar për të bërë qokën politike të radhës. Shtetasi Artion Duka paska bërë planin e përdorimit të aparaturës, nuk paska hulumtuar nëse italianët kanë bërë shkelje, argumenta këto që mbajnë në arrest shtëpie Artion Dukën. Argumentat që mbajnë në arrest policin tjetër Entiol Xhelilaj janë akoma më qesharake. Sipas argumentit të gjyqtarit, “Xhelilaj ka hyrë në marrëdhënien e grupit italian të trajnimit me qejfin e tij, pa asnjë urdhër”.
Është e shkruar në vendim. Po flasim këtu për një gjyqtar që ka liruar vrasës dhe përdhunues, dhe ka lënë në burg efektivët me argumentat më banale. Këto janë hetimet më banale që mund të dilnin nga një gjykatë. Me të vetmin synim, për ti zënë fytin shqiptarëve nga rruga që kemi përpara për miratimin e reformës në drejtësi. Me gjyqtarë të paarsimuar, të kapur peng nga politika që i ka mbrojtur kur kanë liruar vrasës dhe përdhunues”, tha Tahiri./a.m.