Kryeministri Isa Mustafa gjatë një vizite që i bëri komunës së Graçanicës ku u takua me kryetarin e kësaj komune Valdeta Kostiç tha se Qeveria që ai drejton sheh arsye të mëdha që të përkrah këtë komunë dhe të investojë, pasi që qytetarët e Graçanicës duhet të kenë të drejtën e punësimit dhe të jenë pjesë e zhvillimit ekonomik të Kosovës.
“Ne shohim arsye të madhe që ta përkrahim këtë komunë që të ketë investime këtu. Të ketë punësim, që qytetarët e Graçanicës ta kenë perspektiven e tyre të jetës në Kosovë në këtë komunë dhe të jenë pjesë e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, tha Mustafa, transmeton kosovapress.
Gjatë kësaj vizite ai u pyet se po ndihet si në një komunë të Kosovës apo Serbisë, duke pasur parasysh që në Graçanicë valojnë vetëm flamujt e Serbisë, Mustafa tha se ai po e viziton një komunë të Kosovës, në të cilën është pranuar si kryeministër i Kosovës.
“Së pari unë kam ardhur sot në një komunë të Kosovës dhe jam pranuar si kryeministër i Republikës së Kosovës në një komunë të Kosovës. Ajo do të jetë shumë e qartë për neve. Çështjet tjera do të punojmë edhe sa i përket Asociacionit. Por sot nuk kemi biseduar me kryetarin e komunës në lidhje me Asociacionin. Kemi biseduar vetëm për problemet që i përkasin zhvillimit të komunës se Graçanicës”, tha Mustafa.
E gazetarët nuk u lejuan t’i bëjnë pyetje kryeministrit për tema tjera, përveç për këtë komunë. Kështu vendosi kryetari i komunës Vladeta Kostiq. E kryeministri i cili iu bind kërkesës së Kostiqit, i pyetur nga gazetarët se si po lejon që një kryetar komune t’ia diktojë se çfarë të flas e çka jo, Mustafa tha se çfarë të flasë nuk mund t’ia diktojë as kryetari i komunës e as mediat.
“As s’ma dikton kryetari i komunës, as nuk ma diktoni ju. Por jemi këtu në komunë, të flasim për problemin e komunës dhe për ato probleme do të flasim. Për te gjitha këto çështje unë do të japi përgjigje në Prishtinë në zyrat tona dhe selinë tone. Prandaj s’kemi me nevojë me i cilësu si të tilla. Të mos bëjmë provokime të tilla”, tha Mustafa. (b.an)